Reagon Izet Abdyli: Dikush po luan me heronjtë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica

Pas raportimit të DrenicaOnline rreth propozimeve të emrave të rrugëve dhe shesheve në komunën e Drenasit, ka reaguar ish-anëtari i komisionit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Drenasit, Izet Abdyli.
Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:
REAGIM NË CILËSINË E ISH- ANËTARIT TË KOMISIONIT PËR EMËRTIMIN E RRUGËVE, SHESHEVE DHE INSTITUCIONEVE NË KOMUNËN E DRENASIT
KUSH PO LUAN ME HERONJTË SHBAN POLLUZHA E MEHMET GRADICA
Sapo hapa portalin Drenica Online dhe isha kureshtar të lexoj disa nga propozim ndryshimet e emërtimeve të këtyre rrugëve dhe parkut të qytetit. Dhe për habi që me nr. rendor 1 u zhgënjeva kur pashë se Parku i qytetit i aprovuar në mënyrë anonime nga delegatët e Kuvendit me emrin e dy heronjve Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, është propozuar të ndryshohet. Ku u gjet që pikërisht këto dy emblema të historisë me të cilat identifikohet Luifta e Drenicës , të ndërrohet më një datë 14 qershori si ditë e çlirimit të Drenasit, kur dihet se ngjitur me parkun është edhe sheshi Fehmi Lladrovci që një formë apo tjetër identifikon edhe çlirimin e Drenasit.
Vallë çfarë analize ka bërë ky komision kur ka bërë këtë propozim apo vallë mos po na kthejnë sërish në kohën e komunizmit ku për 50 vite kjo luftë dhe këta heronj ishin të anatemuar. A kanë menduar ata anëtarë të komisionit se po na i vrasin sërish këta dy heronj që nuk i ndau as beteja e përbashkët e as vdekja. Po nuk është çudi ngase në propozim ndryshim pash edhe heqjen e emrave dhe bashkëluftarëve tjerë si Istref Hoti, e të mos flasim edhe për heronj të luftës së fundit si Agim Ramadani, Sali Çeku e Fatime Hetemi.
Si ish anëtar i komisionit që kam punuar së bashku me kolegët e mi për më tepër se 8 muaj pa kurrfarë kompensimi, dua të ua përkujtoj se Kuvendi Komunal ka aprovuar emërtimin e rrugëve dhje institucioneve dhe nuk është mirë të luhet me ndjenjat e familjarëve të dëshmorëve por as me figurat historike. Me këtë rast dua të i përkujtoj edhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal z. Naim Bazaj, edhe kryetarit aktual të Komunës z. Ramiz Lladrovci se me vendim unanim të Kuvendit Komunal të Drenasit përveç rrugëve janë emërtuar edhe Sheshi qytetit me emrin e Fehmi Lladrovcit, Parku i qytetit me emrin ,,Shaban Polluzha e Mehmet Gradica” dhe Shtëpia e kulturës me emrin ,,Valdet Xhemajli” dhe çdo lojë tani me propozim ndryshime të këtyre tri emërtimeve do ishte një turp që nuk do të ua falë historia.
Izet Abdyli, ish-anëtar dhe kryetar i Komisionit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve.
Më 26.02.2017