Lladrovci priti në takim ministrin Bajrami, konfirmon ndërtimin e dy shkollave

Kryetari i Komunës së Drënasit, z. Ramiz Lladrovci, i shoqëruar nga nënkryetar, z. Arsim Haxhiu dhe shefi i kabinetit, z. Gani Sylaj, kanë pritur në takim ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, nga i cili kanë marrë konfirmimin për ndërtimin e shkollës profesionale në Komoran, ndërtimin e shkollës fillore në Fushticë të Lartë dhe ndërtimi i çerdhes në qendër të qytetit.
Me këtë rast, kryetari Lladrovci, ka njoftuar ministrin Bajrami për gjendjen në arsim në Komunën e Drenasit dhe nevojat që ka kjo komunë. Ndërsa ministri Bajrami fillimisht ka uruar kryetarin Lladrovci për marrjen e detyrës së re dhe ka konfirmuar se gjatë këtij viti do të nisin punimet për ndërtimin e shkollës reprezentative në Komoran dhe vlera e investimeve do të jetë rreth 2 milion euro, shkollë kjo profesionale e cila do të shërbej jo vetëm për nxënësit e Komunës së Drenasit, por edhe të nxënësve të komunave përreth.
Ministri Bajrami ka njoftuar po ashtu edhe për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Fushticë e Lartë, ndërtimi i një çerdhe në qendër të qytetit dhe do të ndihmojnë mësimdhënësit me trajnime profesionale për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënëje.
Ministri Bajrami po ashtu ka thënë se do të investojnë në riparimin e objekteve shkollore dhe do t’i paisin me inventarizim dhe mjete të konkretizimit.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar ministrin Bajrami për mbështetjen e ofruar në zhvillimin e arsimit në Drenas dhe u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit për interesin e aftësimit të të rinjve dhe ka thënë se do të sigurojnë një parcellë me siperfaqe të mjaftueshme në Komoran për ndërtimin e shkollës profesionale, e po ashtu edhe një hapësirë të nevojshme në qendër të qytetit për ndërtimin e çerdhes publike, kurse për ndërtimin e shkollës në fshatin Fushticë e Lartë, ka thënë se është siguruar parcella në mes të fshatit.
Kryetari Lladrovci dhe ministri Bajrami kanë vizituar edhe terrenin ku Ministria e Arsimit do të investojë për ndërtimin e çerdhes për fëmijët në Drenas.