Ganimete Musliu nuk pranon të nënshkruaj nëpër korridore (Video)

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, thotë se nuk është kundër debatit dhe as transformimit të FSK-së, as ajo, e as partia që përfaqëson (PDK), por kundërshton dhënien e nënshkrimeve nëpër korridore. ”Nënshkrimi im mungon për shkak të procedurës. Nuk kam kurrfarë presioni as prej shefit të partisë dhe as nga shefi i grupit parlamentar, as kolegët e mi deputetë. Të gjithë jemi unik sa i përket kësaj çështje dhe asnjëherë nuk kemi pas kurrfarë presioni sa i përket kësaj çështje”, tha Musliu para Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, teksa tregoi se është e padrejtë forma se si është etiketuar ajo, se kinse ka qenë kundër inicimit të debatit për FSK-në në Parlamentin e Kosovës, raporton KosovaPost.
Deputetja Musliu ka treguar se ajo është njoftuar për inicimin e debatit parlamentar nga asistentja e Grupit Parlamentar të AAK-së, nëpërmjet telefonit, pa qenë në dijeni fare komisioni përkatës “Mos t’ia drejtojmë gishtin njëri- tjetrit dhe nuk është e drejtë të etiketohemi sepse asnjëherë nuk kemi qenë kundër debatit dhe as transformimit të FSK-së. Është shumë e padrejtë që si nënkryetare e Komisionit të marr informacione për një iniciativë nga kanale të ndryshme. Asnjëherë PDK nuk ka qenë kundër transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura dhe gjithmonë ka qenë e gatshme ti përgjigjet çfarëdo iniciative kur është në pyetje Ushtria e Kosovës”, tha Musliu duke iu përgjigjur akuzave se është kundër debatit për FSK-në./Mirjeta Dervishi
http://kosovapost.net/wp-content/uploads/2017/02/video-1486560256.mp4?_=1