Thaçi: Muri ishte i fundit, tash do të ketë ura bashkimi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja e institucioneve qendrore dhe lokale të vendit për rrënimin e murit në Mitrovicë është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut.
Ai është shprehur se Kosova i garanton liritë secilit qytetar. Thaçi ka bërë thirrje që të gjithë bashkë duhet ta forcojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë e rajon, përcjellë Indeksonline.
Ai ka thënë se Kosova është e pandashme dhe nuk do të ketë më barrikada, e as mure, por vetëm ura që bashkojnë.
Lexoni statusin e plotë të tij:
Marrëveshja ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës është dëshmi se çdo problem mund të tejkalohet përmes dialogut ndërinstitucional kur ekziston gatishmëria për të gjetur zgjidhje.
Kjo është rruga e duhur që duhet ta ndjekim të gjithë, sepse vetëm me angazhim të përbashkët mund ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë dhe mund ta forcojmë edhe paqen e stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Kosova ua garanton të drejtat dhe liritë çdo qytetari dhe pa marrë parasysh përkatësitë etnike, të gjithë duhet të ndjehen të barabartë me njëri-tjetrin.
Etnitë e shumta janë pasuri e jona, por retorika urrejtëse dhe interferimet nga jashtë mund ta dëmtojnë harmoninë tonë.
Kosova është e pandashme dhe më s’do të ketë barrikada dhe mure, por vetëm ura që na bashkojnë. HTH