Fundjava “rrënon” murin në Mitrovicë

Fundjava në Mitrovicë mund të sjellë deri te rrënimi i murit nga vetë serbët, të cilët edhe e kanë ngritur, nëse kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, arrin marrëveshje me përfaqësues të subjekteve politike serbe, posaçërisht me ata të listës “Srpska”. E Aleksandër Vuçiq i ka dhënë atij dritën jeshile që ta rrënojë murin dhe ta qetësojë situatën në veri të Mitrovicës

Rrënimi i murit në veri të Mitrovicës, i ngritur befasisht nga serbët në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, ka alarmuar të gjithë në Mitrovicë, serbët edhe shqiptarët, por edhe institucionet e sigurisë, KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si dhe strukturat e pushtetit lokal të të dyja komunave. Muri duhet të rrënohet me çdo kusht pas Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila do të duhej të zbatohej deri më 31 janar 2017. Duke parë rrezikun dhe paralajmërimet e Prishtinës se murin do ta rrënojnë inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, serbët e veriut të Mitrovicës janë “çuar në këmbë të enjten në mbrojtje të murit”.

Mëngjesi i së premtes ka gdhirë në veri të Mitrovicës qetë. Serbët nuk janë mbledhur në mëngjes tek muri, ndonëse kishin premtuar se do ta ruajnë atë “për të mos e rrënuar shqiptarët”. Tek muri i Mitrovicës, të premten, janë parë forca të shtuara të KFOR-it, gjithashtu edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it. Disa grupe të serbëve janë parë më larg murit dhe ata vëzhgonin nëse do të fillojë të rrënohet muri, por pas pak ata kanë hyrë nëpër lokale dhe nuk janë parë andej nga ura.

Ndërkaq, serbët e grumbulluar tek ura të enjten rreth orës 16:00 janë shpërndarë të qetë rreth orës 19:30 të së njëjtës ditë. Në ndërkohë përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet kosovare, liderë të listës “Srpska” dhe kryetarët të komunave me shumicë serbe kanë shkuar në Rashkë për t’u takuar me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me Vuçiqin në Rashkë ndodheshin ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, ministri i Policisë së Serbisë, Nebojsha Stojanoviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë