45 mijë euro për ujësjellësin në burgun e Dubravës

Ministrisë së Drejtësisë do t’i duhen miliona euro për mirëmbajtjen e burgjeve.

Në buxhetin e planifikuar për këtë vit, në listën e projekteve të kësaj Ministrie janë shtuar disa investime, të cilat nuk ishin paraparë në vitin 2016, shkruan Indeksonline.

Për Ujësjellësin nga puset në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë paraparë të shpenzohen 45 mijë euro. Derisa për rregullimin e dyshemeve në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe Qendrave tjera do të shpenzohen nga buxheti i shtetit plot 47 mijë euro.

19 mijë euro do të shpenzohen për projektin e rregullimit e ndriçimit në perimetrin e jashtëm të burgjeve dhe zëvendësimin e poqave me poqa me eficencë, transmeton Indeksonline.

Ndërkohë projektet tjera nuk shihet se kanë ndërruar shumë, vetëm kanë vazhduar prej vitit 2016.

Ndërtimi i serave në Qendrën Korrektuese në Smrekovnicë dhe Lipjan për të cilin janë planifikuar 53 mijë euro është vazhdim prej vitit që lamë pas njësoj si: Instalimi i penguesve të valëve në Qendrat e SHKK, Instalimi i sistemit të kamerave në QK Dubravë në pavijonet 1, 2, 7 dhe objektet tjera përcjellëse, e mbulimi i serave në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Për renovimet e brendshme të blloqeve dhe objekteve përcjellëse të burgut edhe në vitin e kaluar ishin planifikuar 345 mijë euro.

Edhe projekti për transferimin e të burgosurve ka qenë pjesë e listës së Ministrisë së Drejtësisë edhe vitin e kaluar. Projekt për të cilin janë planifikuar të shpenzohen 95 mijë euro.

Për sistemin e alarmit kundër zjarrit dhe daljet emergjente janë planifikuar vetëm 10 mijë euro.

Vazhdim i projektit prej vitit 2016 janë edhe adaptimi i dhomave për të burgosurit në QKUK, për çka janë planifikuar 85 mijë euro, si dhe rregullimi i hapësirës për trajnime profesionale në QK Smrekovnicë 100 mijë euro.

Lista e projekteve të kësaj Ministrie, nuk shihet të ketë pësuar ndryshime të mëdha veç vazhdimit në projekte të cilat ishin planifikuar edhe vjet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë