Dorëzohen në Polici të dyshuarit e vrasjes së trefishtë në Gjakovë
Të dyshuarit kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjakovë, gjatë vitit të kaluar, Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi janë dorëzuar në Polici. Dorëzimin e tyre e kanë konfirmuar për Express zyrtarë të Policisë së Gjakovës.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, vëllezërit Valon dhe Ali Islamaj, të njohur si vëllezërit Madanaj, si dhe Zef Krasniqi nga fshati Meçe, patën mbetur të vdekur në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë.
Jetën këtyre tre personave dyshohet se ua morën Qëndrim Shala e Veton Gjoshi, pasi kishin pasur një konflikt të mëparshëm.
Por, tani kur kanë kaluar më shumë se shtatë muaj ata që dyshohet se e kanë kryer këtë vepër kanë vendosur të dorëzohen në Polici.
“Me datë 23.08.2016 në Gjakovë ka ndodhur vrasje e rëndë ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona. Policia e Kosovës respektivisht sektori rajonal për hetime ne kuadër te DRP Gjakovë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe egzaminimit te provave dhe dëshmive kanë arritur te identifikojnë kryesit e mundshëm te kësaj vepre”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës në Gjakovë.
Në polici kanë treguar se kjo njësi në vazhdimësi në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe me metodat e tyre është arritur që të dy personat e dyshuar të vet dorëzohej ne polici sot me datë 27.01.2017 ne Sektorin e lartshënuar ne DRP Gjakovë.
“Te dyshuarit janë: V.Gj i lindur 1990 dhe Q. Sh i lindur 1990 te dy shqiptar kosovar Te dy personat e arrestuar me urdhër te Prokurorit te çështjes mbahen e ndalim policor”.
Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi kishin miqësi të ngushtë, që lidhet edhe me marrëdhënien e afërt të babait të Qëndrimit, Brahim Shalës me vëllain e madh të Vetonit, Gjelbrin Gjoshi. Po aq miqësi të afërt, gjithnjë kanë pasur edhe vëllezërit Islamaj nga fshati Madanaj i Gjakovës me Zef Krasniqin.
Dy të rinjtë, të dyshuar për vrasjen, kanë vazhduar deri tani të qëndrojnë në arrati.