Tjetër rast, “shqiponja” kthehet në makthin e ushtrisë greke
Fotografia e re e një rekruti të ushtrisë greke që pozon duke bërë me duar shenjën e shqiponjës dykrenare, e zbuluar në rrjetet sociale, ka sjellë sërish “dhimbje koke” për Athinën zyrtare e sidomos për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai do t’u nënshtrohet të gjitha procedurave me të cilat do të përballen edhe 7 rekrutët me origjinë shqiptare në një repart elitar të këmbësorisë greke në Mesologji, që kryen të njëjtin veprim disa ditë më parë.
Çështja është konsideruar e një rëndësie të veçantë dhe është marrë në dorë nga Prokuroria Ushtarake e Janinës, që po heton me hollësi, ndërsa sipas burimeve pranë saj, nuk përjashtohen as dënime deri në 5 vjet heqje lirie për rekrutët.
Rastin në fjalë ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos e ka përfshirë gjatë një interviste televizive në një plan të gjerë të ringjalljes së nacionalizmit shqiptar.
Dy incidentet kanë shkaktuar shqetësim në gjirin e ushtrise greke, ndërkohë që me urdher të shefit të Shtabit të Përgjithshëm ka filluar edhe një hetim administrativ për të shqyrtuar së pari nëse në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme dhe nëse po, si janë trajtuar.