LDK tregon se si mund të shmangen provokimet serbe
Provokimet e vazhdueshme nga ana e shtetit serb mund të shmangen vetëm me mençuri politike dhe bashkëpunim pozitë-opozitë, thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.
Edhe miqtë ndërkombëtar, sipas tij, duhet ta përkrahin Kosovën në procesin e realizimit të shtetit të Kosovës.
Rugova, i cili është edhe kryetar i komunës se Istogut e ka çmuar shumë punën e kryeministrit Mustafa në menaxhimin e situatës për sa i përket çështjes se trenit dhe arrestimit të Haradinajt.
“Me ka pëlqyer mënyra e qasjes se kryeministrit Mustafa, i cili ka qenë mjaft serioz duke treguar se si mund të menaxhohet shteti dhe si duhet të reflektohet në momente krize”, ka thënë Rugova.
Nënkryetari i subjektit qe po udhëheq me qeverinë e vendit, e ka vlerësuar të papranueshme arrestimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Unë jam i pakënaqur me arrestimin e Haradinajt. Forma e arrestimit është pjesë e lojërave qe po i bën Serbia. Unë mendoj se është antiligjore ndalimi i tij. Nuk bën tjetër kush t’i arrestojë njerëzit tonë”, ka thënë Rugova për ‘Indeksonline’.
Provokimet dhe tendencat serbe, sipas tij, mund të shmangen me seriozitet dhe angazhim të përbashkët.
“Ne duhet t’i kryejmë punët tona. Ne nuk duhet t’i kërcënohemi askujt. Të jemi serioz me deklarata. Edhe pushtet edhe opozitë të gjithë se bashku duhet t’i kemi qëndrimet e përbashkëta për ta mbrojtur dhe konsoliduar shtetin”, ka shtuar ai.
Përveç çështjes se Haradinajt dhe trenit, shteti serb ka paralajmëruar se më 15 shkurt do të themelojë njëanshëm Asociacionin serb të komunave në Kosovë./Indeksonline/