Për çfarë akuzohet motra e Isa Xhemajlajt, e shkarkuar nga Kryetari Lladrovci

Drejtoresha e Emergjencave në Drenas, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, e cila është shkarkuar nga detyra me urdhër të kryetarit Ramiz Lladrovcit gjatë ditës së sotme, ka një aktakuzë të ngritur në verën e vitit 2016 për blerjen e një kamioni të zjarrfikësve.
Rasti për të cilin akuzohet drejtoresha e Komunës së Drenasit, bashkë edhe me dy zyrtarë të tjerë dhe një person me biznes privat, është blerja e një kamioni në shumën 110.000 që shërben për fikjen e zjarrit, por që i njëjti, sipas prokurorisë “nuk i plotëson kriteret sipas kontratës dhe se pagesa për këtë kamion ishte bërë para se të bëhet pranimi teknik i mallit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”.
Në një prononcim për Klan Kosovën gjatë muajit qershor të vitit të kaluar, Xhemajlaj-Thaçi ka thënë se ndihet e pafajshme.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vendosur që të shkarkojë sot katër drejtorë të drejtorive të ndryshme në këtë komunë që kanë aktakuza të ngritura për çështje të ndryshme.
-Për më shumë lajme nga Drenasi dhe Skenderaj, ju lutemi bëjeni LIKE faqen DrenicaOnline në facebook: https://www.facebook.com/drenicaonline/