Nëse do eskalonte situata në Veri, a do intervenonte FKS?

Gjatë ditës së shtunë të gjitha forcat e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë qëndruar në Veri, duke mos lënë kështu që të hyjë brenda territorit të Kosovës treni “rus” i cili ishte nisur nga Serbia.

Treni i cili ishte një provokim i Serbisë ndaj Kosovës, ka ngjallur shqetësim tek qytetarët të cilët frikësoheshin se mund të eskaloj situata kur ai do të ndalet nga ROSU.

Në rast se do të eskalonte situata, nuk dihet nëse do të ndërhynte edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila ende nuk është shndërruar në ushtri.

Indeksonline ka kontaktuar me Ministrinë e FSK-së, me ç’rast i ka pyetur nëse kanë pasur urdhër të qëndrojnë në gjendje gatishmërie për të intervenuar në Veri në rast se do të eskalonte situata. Përgjigja e tyre ishte se mision i tyre është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës.

“Misioni i FSK-së është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera. Detyrat e FSK janë operacionet e kërkim shpëtimit; mënjanimin e mjeteve shpërthyese; kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme; zjarrfikjen; si dhe detyrat tjera të ndihmës humanitare”, thuhet në përgjigjën e kësaj ministrie.

Nga kjo përgjigje nuk lë të kuptohet nëse ata do të intervenonin ose jo, edhe pse është detyrë e tyre, /IndeksOnline/.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë