Këta janë zyrtarët që ka suspenduar sot Ramiz Lladrovci

Në muajin e parë të punës, kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pezulloi nga puna katër zyrtarë komunalë. Gazeta Express ka arritur t’i sigurojë emrat dhe pozitat e zyrtarëve që janë suspenduar. Express ka mësuar se këtyre zytarëve i është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës, ndërtim në pronë publike e banesa të uzurpuara.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka suspenduar nga puna katër zyrtarë të komunës, pasi kishin të ngritura aktakuza.

Ketë vendim, kryetari Lladrovci e ka marrë duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, nenit 69, pika I.1, I.2 I.3 dhe pika II, dhe rekomandimeve të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Gazeta Express ka mësuar se të suspenduarit janë Halim Vrellaku – shef i Inspekcionit, Drejtoria e Inspekcionit; Shyqeri Bublaku – shef i thesarit, Drejtoria e Financave; Vehbi Jashari – zyrtar, Drejtoria e Shërbimeve Publike; dhe Mehdi Kurrumeli, shef i sektorit të arkivit, Drejtoria e Administratës.

Express ka provuar të marr një përgjigje për këtë çështje nga kryetari Lladrovci, por kjo ka qenë e pamundur.

Gazeta Express po ashtu ka mësuar se  aktualisht edhe dy drejtorë të komunës kanë aktakuzë, por për te cilët do të merret vendim në ditët në vijim.

Siç ka mësuar Express, zyrtarët e suspenduar sot nga Lladrovci dyshohet se kanë manipuluar me blerjen e një kamioni të zjarrfikësve. Disa nga ta kanë ndërtuar në pronë publike, e disa dyshohet se kanë uzurpuar edhe banesa.

Katar zyrtarëve të suspenduar, kryetari i Drenasit u ka hequr 50 për qind të pagës zyrtarëve. /Gazeta Express/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë