Dënimet e komandantëve

Ish-eprorë të UÇK-së u dënuan për krime të pretenduara lufte të kryera në Kosovë e në Shqipëri. Po ashtu, për krime lufte u dënua edhe Oliver Ivanoviq, udhëheqës i dyshuar i një grupi paramilitar serb.

 Komandantë të UÇK-së vazhduan përballjen me gjykatat në Kosovë edhe gjatë vitit 2016. Rastet më të mëdha, “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, u vendosën edhe nga gjykata e shkallës së dytë. Ndërsa, raste të tjera nisën.
 Njëri nga komandantët kryesor të UÇK-së, njëri nga figurat më të fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës, e po ashtu edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, vazhdoi të jetë frekuentues i shpeshtë i gjykatave e subjekt i aktakuzave të ndryshme edhe gjatë vitit 2016.

Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar në rastin “Drenica 1”, dhe të dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, iu vërtetuan dënimet nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, pati ndryshime.

Përderisa aktgjykimi i shpallur më 27 maj të vitit 2015 Lushtakun e dënoi me 12 vjet burgim nën akuzën e vrasjes së një personi (identiteti i të cilit nuk u dit) në vitin 1998, Gjykata e Apelit kryetarin e Skenderajt e liroi nga akuza e vrasjes ndërsa e dënoi me 7 vjet burgim për akuzën e përgjegjësisë komanduese, akuzë kjo për të cilën ishte liruar nga Gjykata në Mitrovicë.

I dënuar nga Gjykata e Apelit përfundoi edhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi. Gjykata e Apelit ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së ia unifikoi dënimin duke e dënuar me 10 vjet burg për përfshirjen e tij në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Selimi nga Gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 6 vjet burg në procesin “Drenica 1”, dhe me 8 vjet në procesin “Drenica 2”.

I njohur në kohën e luftës me nofkën “Sulltani”, Sylejman Selimi u dënua nën akuzën se kishte keqtrajtuar civilët gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë