Berisha: Hashim Thaçit i ka humbur rruga në oborr (Video)
Hashim Thaçit i ka humbur rruga në oborr dhe veprimet e tij nuk janë të rastësishme. Kështu thotë në emisionin “Kontakt” deputeti Zafir Berisha duke komentuar nderimet e presidentit Thaçi në varrezat e serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Veprimet e tij kanë të bëjnë me barazimet e luftës çlirimtare dhe luftës gjenocidale që ka bërë Serbia ndaj Kosovës, sjelljet dhe përkuljet që i bënë kohët e fundit kanë prapavijë dhe prapavija e tyre mendoj që është në veprimet e ardhshme që mund t’i ndërmarr Gjykata Speciale e cila është themeluar në bashkëpunim me Hashim Thaçin për ta dënuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për ta bërë barazimin me luftën okupuese dhe gjenocidin serb në emër të një paqeje në rajon”, ka deklaruar Berisha në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.
Veprimi i Thaçit, sipas deputetit Berisha është i papranueshëm.
“Ne mund të shprehim keqardhje për çdo viktimë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, por jo në formën siç është duke bërë presidenti”, ka thënë ai duke shtuar se vizitat dhe përkuljet e tij kanë prapavijë të dyshimtë.
Ai ka folur edhe për ndërtimin e murit në veri dhe për idenë e kryeministrit për formimin e një komisioni që do të bënë matjen e territorit.


