Selimi: PDK-ja në panik, teposhtëza e saj e pashmangshme
Gjatë të dielës së javës së kaluar u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme të komunës së Drenasit. Ndërsa në përfundim të numërimit të votave në këtë komunë u vendos që dy partitë ajo e PDK-së dhe Nisma për Kosovën të vazhdojnë në balotazh.
18 dhjetori është dita kur qytetarët e Drenasit do t’u drejtohen përsëri kutive të votimit, në mënyrë që të zgjedhin të parin e kësaj komune.
Ndërsa ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje që në këto zgjedhje komunale të jashtëzakonshme nuk zgjodhi të dalë me asnjë kandidat.
I kontaktuar nga Indeksonline, deputeti i kësaj lëvizje, Rexhep Selimi ka theksuar se balotazhi në Drenas është tregues se ndryshimi tashmë ka ndodhur.
“Kur PDK-ja është në panik në Drenas, paramendojeni si do ta përjetojë procesin e rënies në gjithë Kosovën, proces i cili do të ndodhë në zgjedhjet parlamentare që pritet të ndodhin shpejtë”, ka thënë Selimi.
Po ashtu Selimi ka theksuar se Vetëvendosja nuk ka garuar me asnjë kandidat por që nuk do e përkrahin PDK-në në këtë balotazh zgjedhor.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garuar me asnjë kandidat por ne e dimë që PDK-ja duhet të mos udhëheq as në nivelin qendror e as në atë lokal”, ka shtuar Selimi.
Gjithashtu sipas deputetit Selimi vetë balotazhi dhe humbja e fuqisë së PDK-së aty ku është menduar se është e pamposhtur, është indikacioni se ndryshimi do të ndodhë edhe në Drenas edhe në gjithë Kosovën.
Ndërsa duhet përkujtuar që rezultati i këtyre zgjedhjeve në Drenas, ka befasuar pothuajse gjithë politikën në vend teksa mbetet që të dielën e 18-dhjetorit të priten rezultatet që vendosin për të parin e komunës .