Përplasjet mes PDK-së e Nismës

dranasssss

Gjatë gjithë ditës derisa po votohej në Drenas kundërshtarët kryesorë politikë, PDK-ja dhe “Nisma për Kosovën”, janë përplasur me deklarata, ku akuzonin njëra-tjetrën për manipulim votash. Ishte “Nisma” ajo që akuzoi PDK-në se po përdor segmentet e Policisë dhe të Prokurorisë në ndjekje dhe arrestim të zyrtarëve të saj, të cilët kanë denoncuar parregullsitë gjatë procesit. “Mandati i Policisë dhe i Prokurorisë në këtë proces zgjedhor është ekskluzivisht marrja me zhvillimet që ndodhin brenda hapësirave në të cilat zhvillohet procesi zgjedhor dhe jo ndjekja dhe arrestimi i anëtarëve dhe zyrtarëve të partive politike, të cilët denoncojnë parregullsitë që bëhen nga eksponentë të PDK-së”, thuhej në komunikatën e “Nismës”, e cila u bënte thirrje drejtuesve të Policisë dhe të Prokurorisë të marrin masa kundër këtyre eksponentëve të kapur të Policisë dhe të Prokurorisë, qëllimi i të cilëve është që përmes metodave të kërcënimit t’ia mundësojnë pushtetit devijimin e vullnetit të qytetarëve të Drenasit.

“Nisma” akuzoi PDK-në edhe për ndërprerjen e rrymës në disa qendra të votimit. Mirëpo doli zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, duke thënë se “Nisma” ka manipuluar me opinionin publik. “Këto të pavërteta po plasohen qëllimshëm tash në fund të procesit zgjedhor vetëm sa për ta njollosur vullnetin e qytetarëve të Drenasit të shprehur në kutitë e votimit. ‘Nisma për Kosovën’ e ka shumë të qartë humbjen e thellë në Drenas, kurse tash nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveçse të mundohet që t’ia devijojë ecurinë e mirë këtij procesi me propaganda mediale”, ka thënë Berisha. Në debate të ashpra me akuza e kundërakuza janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të të dyja partive. Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, akuzoi ministrat dhe deputetët se të gjitha pozitat i kanë me vjedhje, shkruan sot gazeta ‘Zeri’

“Nipi i tha gjyshes: ‘Mos e ha mishin, se në vegsh ka gjarpër e të helmon. Gjyshja që ishte mësuar me e ngrenë mishin në vegsh ia ktheu: ‘Ves edhe pse vdes ndashtë’. Kështu janë edhe deputetët e ministrat e PDK-së, të gjitha pozitat që i kanë, i kanë me vjedhje ose servilizmin e pakurrizorëve, të cilët dje, në orët e mbrëmjes e kishin pushtuar Komoranin”, ka thënë Krasniqi. Sipas Krasniqit, nuk ka dyshim se këto veprime tanimë nuk po i dëshirojnë as qytetarët e Drenasit, të cilët ua kanë kthyer shpinën këtyre veprimeve primitive mbase dhe kriminale. Menjëherë erdhi reagimi i deputetit të PDK-së, Shaip Muja, i cili duke ironizuar ka thënë se “Baca Jakup ka filluar ta përjetojë humbjen e thellë pak para kohe, por nuk do të duhej ta përjetonte si humbje, mirëpo si mësim për vetëdijesim”. “Besimi i palëkundshëm i qytetarëve në PDK është i kuptueshëm që i pengon bacës Jakup, i cili përjetimin e humbjes së thellë e paska filluar para kohe. Do t’iu dalë tash punë për ta kuruar zhgënjimin e atyre që i kanë mashtruar, duke ndërtuar alibi të llojllojshme për të justifikuar humbjen e tyre, por do të qetësohen dikur”, ka theksuar Muja, duke e quajtur këtë vetëm fillimin e humbjeve të tyre, ndonëse, sipas tij, lidershipi i “Nismës” nuk do duhej t’i përjetonte si humbje, mirëpo si mësime për vetëdijesim.

Deklaratat e kandidatëve

Ndërkaq kandidatët për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajli (Nisma), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Bersha (Fjala) dhe Xhavit Drenori (i pavarur), pasi kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit kanë gjetur një formë të veçantë të imponimit mbi qytetarët, që t’i votojnë ata në garën për të parin e Drenasit. “Ju e dini për kë me votu”, janë shprehur pothuajse të gjithë ata pas hedhjes së votës në kutitë e votimit. “Qytetarët e Drenasit gjithmonë kanë ditur për kë me votu. Këto zgjedhje duhet të zhvillohen në mënyrë demokratike, ato janë në dobi të qytetarëve të Drenasit”, është shprehur Lladrovci. Ndërkaq kandidati i LDK-së për kryetar të Drenasit, Bedri Nika, pas votimit ka falënderuar qytetarët e komunës së Drenasit për përkushtimin që kanë treguar në procesin zgjedhor dhe të cilët kanë votuar për ndryshime në Drenas. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovisht dhe të votojnë për të preferuarin e tyre. Kandidati i “Nismës”, Isa Xhemajlaj, ka thënë se qytetarët e Drenasit do të votojnë për ndryshime dhe se ai do t’i fitojë zgjedhjet.

“Qytetarët e Drenasit janë të vendosur për të votuar për ndryshime në Drenas. Ata do të votojnë pa presion dhe vetë do ta zgjedhin të preferuarin e tyre. Gjatë fushatës pushteti ka bërë presion të madh mbi shërbyesit publikë dhe në disa kompani që ta votojnë kandidatin e PDK-së. Por, qytetarët tashmë kanë vendosur se kë ta votojnë”, është shprehur ai. Kandidati i AKR-së për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi, pas votimit ka theksuar se pret ndryshime në këtë zgjedhje. “Vota është e shenjtë dhe shpresojmë të kalojmë mirë të gjithë. Pres ndryshime nga këto zgjedhje”, është shprehur Thaçi. Ndërsa kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, tha se të gjithë janë të barabartë në votim sikurse edhe do të jenë nga nesër në vendimmarrje.

“Sot të gjithë qytetarët e Drenasit janë të barabartë, si i riu, si i vjetri, si vajza, si djali, si i pasuri, si i varfëri, prandaj që edhe nesër të jenë në vendimmarrje të barabartë i lus ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, por edhe obligimin qytetar që të dalin në votime në mënyrë masovike, unë besoj shumë që qytetarët e Drenasit kanë për të ditur të japin një shembull të mirë të zgjedhjeve. Rezultati në fund të dalë ai që ata kanë vendosur, se cili është më i miri që i përfaqëson ata dhe ai të jetë nismëtar”, ka thënë Drenori. Kandidati i partisë “Fjala”, Vehbi Berisha, ka thënë se beson shumë tek qytetarët, të cilët do të votojnë për ndryshime në Drenas e ndryshimi, sipas tij, vjen me njerëz të tjerë, të cilët kanë për synim të mirën e qytetarëve. /ZERI

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë