Hajni i votave në Drenas ‘shpërblehet’ me pozitë në … (Dokument)

zgjedhjet-ne-kosove-2-1-e1454683748495Arsim Rashiti, nga Drenasi, në vitin 2010 kishte vjedhur vota. Ai kishte shtuar numrin e tyre për AAK-në, LDK-në dhe LDD-në. Për këtë vepër penale ishte dënuar me 6 muaj burgim. Pas shlyerjes së dënimit, ai u emërua nga Kuvendi i Kosovës në pozitën e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullativ për Shërbimet e Ujit.

Ankesat e qytetarëve që drejtohen në Autoritetin Rregullativ të Ujërave, do të shqyrtohen nga një person që është i dënuar për vjedhje votash në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.

Arsim Rashiti, në vitin 2011 u dënua nga Gjykata Komunale në Drenas më gjashtë muaj burgim. Më 28 tetor të këtij viti, ai u emërua nga Kuvendi i Kosovës si kryesues të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullativ për Shërbimet e Ujit.

Rashiti arriti të marrë 50 vota të deputetëve të Kuvendit, me çka ka siguruar një mandat tre vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Rashiti u dënua së bashku me një grup komisionerësh tjerë për vjedhje votash më 12 dhjetor 2010. Ai kishte keqpërdorur vota në fshatin e tij të lindjes Sankoc, bashkë edhe me disa persona tjerë, duke ndryshuar rezultatin për tri parti politike, raporton Insajderi. Ndryshimin e rezultatit të votave, Rashiti me gjashtë të tjerët e kishte bërë në dobi të Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Dënimin e tij e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“A.R në bashkëkryerje me shtatë të akuzuarit tjerë me qëllim të falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve në këtë vendvotim kanë shtuar votat ku kanë bërë ndryshimin e rezultatit përfundimtar të votimeve”, ka thënë Gashi.

Rashiti u dënua për zgjedhjet të cilat ish-ambasadori amerikan Christofer Dell, i kishte cilësuar si “vjedhje industriale të votave”.

“Subjekteve politike AAK i kanë shtuar 162 vota më shumë për kandidat , LDK i kanë shtuar 8 vota më shumë për kandidat dhe për LDD i kanë shtuar 34 vota më shumë për kandidat”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Komunale Rashiti, fillimisht ishte ndëshkuar me dënimin me burg prej tre muajsh. Ky dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 1.350 euro.

Mirëpo shkalla e dytë, në atëkohë Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në maj të vitit 2012 kishte ndryshuar masën ndëshkimore, duke e dënuar Rashitin me 6 muaj burgim efektiv. Ai tashmë e ka vuajtur dënimin.

“I akuzuari A.R ka vuajtur dënimin nga data 08.10.2013 dhe është liruar me dt. 21.02.2014”, ka treguar zëdhënësja Mirlinda Gashi.

I kontaktuar nga Insajderi, Arsim Rashiti ka thënë se dënimi i tij ka qenë i padrejtë, pasi sipas tij dënimet ishin dhënë nga Gjykata në mënyrë kolektive e jo individuale.

“Nga Gjykata nuk ka qenë aspak i drejtë, sepse kam dëshmi se ka pasur edhe shkelje të procedurave esenciale nga Gjykata e Drenasit … kur i jam drejtuar Gjykatës Supreme për rishqyrtim të rastit e ka kthyer në rishqyrtim, por Gjykata Komunale në Drenas është arsyetuar në mënyrë verbale se nuk mund ta rishqyrtojmë këtë dënim, që e ka kërkuar Gjykata Supreme, sepse gjykatësit e Gjykatës së Drenasit janë në pushime verore, këtë me qëllimin e vetëm për ta zvarritur rastin”, ka thënë ai.

Kur Insajderi i ka kërkuar këtë aktvendim, ai ka ofruar një shkresë të Gjykatës Supreme drejtuar Gjykatës Komunale në Drenas, me të cilin kërkon dosjen e plotë të lëndës.

Kjo shkresë pos që konfirmon dënimin, sqaron se Gjykata Komunale e Drenasit kishte kërkuar zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit të shqiptuar.

Rashiti që para një muaji mori detyrën e re në një Institucion të Pavarur të Kosovës, mohoi se partia për të cilën ai kishte manipuluar votat të ketë pasur ndikim në zgjedhjen e tij në krye të komisionit shqyrtues.

Ai thotë se i plotësoi të gjitha kriteret që u kërkuan për këtë pozitë.

“Jo që asnjë kundërkandidat nuk i ka plotësuar, por as që i plotëson – sikur edhe sot të shpallet konkursi, sepse nga 4 kandidatët aplikantë, unë me një kundërkandidat të minoritetit serb kemi kaluar fazën e Intervistimit, përzgjedhjes nga një komision a politik, e aq më tepër nuk ka qenë në atë komision asnjë anëtarë i partisë që po aludon ti”, ka thënë Rashiti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë