Arsimtarët festuan me alkool në shkollë, prindërit i ndalën fëmijët nga mësimi
Mësimdhënësit e shkollës fillore “Edith Durham”, në festën e 28 Nëntorit, zgjodhën të argëtohen pak më shumë.
Në vend të restorantit, për të festuar shkuan në hapësirën e paraleles në Delloc të Suharekës. Në këtë aheng nuk munguan as pijet alkoolike, transmeton Koha.net.
Prindërit e nxënësve janë irrituar me këtë veprim të mësimdhënësve dhe në shenjë revolte i ndalën fëmijët prej mësimit. Madje përfaqësuesi i fshatit thotë se nuk është hera e parë që në shkollë përdoret alkooli, pasi sipas tij, edhe më herët ka ndodhur një gjë e tillë.
Ai thotë se është kërcënuar nga drejtori i shkollës, pasi ka ngritur këtë shqetësim. Drejtori i kësaj shkolle dhe mësimdhënësit nuk e shohin si problem këtë aheng me pije alkoolike.
Thonë se meqë mësimi nuk është humbur, prindërit nuk kanë arsye të ankohen.
Drejtoria e arsimit në Komunën e Suharekës nuk e ka ndërmend të marrë masa lidhur me këtë çështje.
Sipas drejtorit, festimi i një dite siç është 28 Nëntori duhet të shoqërohet me pije alkoolike. Kjo paralele e shkollës ka 22 nxënës, të cilët punojnë në klasë të kombinuara.