“Në Drenicë gjithmonë ka pasur probleme në votime – kërkojmë monitorim nga OSBE”

zgjedhjet-ne-kosove-2-1-e1454683748495-1478168796-5689147Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, përmes një shkrese dërguar kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, ka kërkuar që misioni i OSBE-së në Kosovë të jetë i përfshirë në mbikëqyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas.

O’Connell këtë kërkesë e ka drejtuar në emër të Britanisë, Gjermanisë, SHBA-ve, Italisë dhe Francës, ndërsa ka thënë se në këtë rajon, duke iu referuar rajonit të Drenicës, “gjithmonë ka pasur shqetësime në lidhje me votimet”, raporton Koha.net.

“Duke marrë parasysh gjendjen e tanishme politike të tensionuar në Kosovë, jemi të mendimit se është me rëndësi që ky votim të jetë i lirë dhe i drejtë, dhe si i tillë të shihet në publik. Prandaj, besoj fuqishëm që është në interesin e Kosovës që Misioni i OSBE-së të monitorojë nga afër këtë proces zgjedhor”, shkruan në kërkesën e Ambasadorit Britanik drejtuar kryetares së KQZ-së, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore” nga burime brenda KQZ-së.

Përmes kësaj shkrese kërkohet që OSBE dhe stafi i saj të ketë qasje në qendrat dhe vendvotimet në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që, siç thuhet në kërkesë, “të japin një vlerësim profesional të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”.

“OSBE-së do t’i duhet qasje e plotë të monitorojë këtë proces, përtej qasjes së dhënë publikut të gjerë”, shkruan më tej në kërkesë.

O’Connell thotë më tej se për të arritur këtë, KQZ duhet t’ia lejoj OSBE-së këtë rol “me anë të shkëmbimit të letrave” në pajtim me nenin përkatës të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi që, siç potencon ai, dihet se “Misioni i OSBE-së nuk mund të hyjë në marrëveshje formale për shkak të kufizimeve në mandatin e tij në Kosovë”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit vërtetoi aktgjykimin e Themelores për 10 të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Drenica 2’, pjesë e së cilit grup ishte edhe kreu i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i cili u dënua me 3 vjet burgim për krime lufte që, sipas aktakuzës, ndërlidhen me keqtrajtimin e të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Likoc.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë