Për dy ditë janë mbledhur mbi 7 mijë nënshkrime në peticionin #DrejtësiPërAstritin
Peticioni për drejtësi në rastin e vdekjes së Astrit Deharin dje dhe sot ka mbledhur plot 7218 nënshkrime
Ndryshe nga këto dy ditë që nënshkrimet janë mbledhur vetëm në Prishtinë, te pikat Sheshi Zahir Pajaziti; Sheshi Nënë Tereza; Para Pallatit të Rinisë, NewBorn dhe përball rektoratit, nesër do të zgjerohet rrjeti.
Shoqëria civile ka paralajmëruar që do të zgjerohen edhe në dy qytete tjera: Gjakovë dhe Podujevë.
Në Gjakovë pikat kryesore janë: Parku i Qytetit; Sheshi Nënë Tereza dhe “Qarshia e Vogël”. Në Podujevë pika kryesore është sheshi i qytetit. Këto pika do të jenë të vendosura nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
“Ndërsa, peticioni do të vazhdojë të përhapet edhe në komunat tjera të Kosovës deri sa të arrijmë shifrën e caktuar”, thuhet në komunikatën e grupit organizator, teksa numri i nënshkrimeve duhet të kap shifrën 10 mijë.
Shoqëria civile bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:
1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë
2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.
3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.