Mbi-shteti që “fal” dhe Akademia që vret!
Ç’ishte kjo pra, vjedhje e zakonshme, pakujdesi, rastësi?! Jo, fare, asnjëra! Ky ishte një mesazh nga strukturat mbi-shtetërore në Kosovë për Kryeprokurorin e Shtetit (dhe prokurorët tjerë) dhe për secilin qytetar të Kosovës… Nuk është fare e nevojshme që të presim që konkursi të mbyllet e të shohim se kush do të pranohet në ASHAK
Kosova po rrugëton drejt greminës aq shpejt e aq qartësisht, edhe si shtet edhe si shoqëri, saqë mjafton që të shikosh dhe të analizosh lajmet dhe ndodhitë e një dite të vetme për të ardhur deri te ky përfundim. Vetëm gjatë ditës së djeshme patëm disa lajme e ndodhi në Kosovë, nga të cilat çdo qytetar normal e racional i vendit duhet të ndihet i kërcënuar e i frikësuar për veten e vet dhe për pasardhësit e vet. Këtu po veçoj vetëm dy nga këto lajme e ndodhi që për mua ishin më të rëndësishmet dhe të cilat duhet ta kenë vëmendjen e publikut.
1. Kryeprokurori i Shtetit është (do duhej të ishte) ndër zyrtarët publikë më të sigurt në një shtet normal. Ndërsa në Kosovë u raportua se u thye dhe u vodh shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, në kohën kur vet kryeprokurori ishte brenda, pavarësisht se ai dhe shtëpia e tij ruhen vazhdimisht nga Policia e Kosovës. Fakti se u thye dhe u vodh shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit në kohën kur vet kryeprokurori ishte brenda tregon se fare lehtë Kryeprokurori i Shtetit mund të ishte vrarë në gjumë në shtëpinë e vet, pavarësisht se nën mbikëqyrjen e shtetit. Ç’ishte kjo pra, vjedhje e zakonshme, pakujdesi, rastësi?! Jo, fare, asnjëra! Ky ishte një mesazh nga strukturat mbi-shtetërore në Kosovë për Kryeprokurorin e Shtetit (dhe prokurorët tjerë) dhe për secilin qytetar të Kosovës.
Me këtë rast strukturat mbi-shtetërore në Kosovë i thanë Kryeprokurorit të Shtetit: “Askush nuk mund të të mbrojë nga ne. Mund të të vrasim edhe në shtëpinë tënde. Jeta jote ishte në dorën tonë, ta kursyem – të falëm. Ndaj na ke borxh jetën tënde. Po nuk veprove sipas direktivave tona, herën tjetër nuk do të ketë vetëm “vjedhje””.
Me këtë rast strukturat mbi-shtetërore në Kosovë i thanë secilit qytetar të Kosovës: “Merrni mësim nga rasti i Kryeprokurorit të Shtetit. Kujdes kë kundërshtoni, s’ka shtet që mund t’ju mbrojë nga ne. Secili prej jush mund të vritet nga ndonjë plaçkitës “që hyn për të vjedhur” në shtëpinë tuaj. Jeta juaj është në dorën tonë, ndaj heshtni po deshët shpëtim”.
Pra, ky rast dëshmoi që shteti i Kosovës nuk mund ta përmbushë njërin nga funksionet themelore të shtetit, që është sigurimi i jetës së qytetarit të vet. Nëse kaq lehtë qenka futja në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit dhe potencialisht vrasja e tij, i cili është nën mbrojtjen 24-orëshe të Policisë së Shtetit, atëherë mund të imagjinohet sa e lehtë është futja në shtëpinë e qytetarit të zakonshëm të Kosovës dhe vrasja e tij! Ky dështim i shtetit është kërcënimi më i madh e më i drejtpërdrejt që mund t’i bëhet qytetarëve të një vendi.
2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) është (do duhej të ishte) institucioni ku përfaqësohen vlerat më të larta të vendit tonë në fushën e shkencës, teknologjisë, artit, kulturës, etj.. Fatkeqësisht, ASHAK kurrë nuk ka qenë e tillë! Edhe më fatkeqësisht, as që pritet të bëhet e tillë! Këtë e dëshmoi dje numri, cilësitë dhe arritjet e kandidatëve për t’u bërë anëtarë të ASHAK-ut në konkursin e shpallur këto ditë.
Ende pa u mbyllur konkursi kanë kandiduar më shumë se 50 persona. Thua se Kosova është vend i shpikjeve të reja, prijatare e arritjeve shkencore botërore, eksportuese e vlerave artistike e kulturore në botë! Në fakt është e kundërta. Shumë nga ata që kanë kandiduar për t’u bërë anëtarë të ASHAK-ut kanë arritje e vepra shkencore e artistike, rëndësia dhe vlera e të cilave nuk kalojnë as muret e banesës apo shtëpisë ku ata jetojnë. Të tillë ka shumë edhe nga anëtarët ekzistues të ASHAK-ut.
Nuk është fare e nevojshme që të presim që konkursi të mbyllet e të shohim se kush do të pranohet në ASHAK. Vetë kandidimi i tyre bazohet në cilësitë dhe arritjet e shumicës së anëtarëve ekzistues të ASHAK-ut. I verbëri nuk kandidon për t’u bërë snajperist, por kërkon shoqatën e të verbërve për t’u anëtarësuar. Fundja, (mos)pranimi në ASHAK varet nga vendimet arbitrare të anëtarëve ekzistues të ASHAK-ut dhe nga ndërhyrjet politike, ndaj dhe nuk ka fare rëndësi rezultati përfundimtar i këtij konkursi. Personalisht ndiej keqardhje që disa persona me vlera të mirëfillta, të dëshmuara në nivel ndërkombëtar, kanë pranuar që të kandidojnë për t’u bërë pjesë e ASHAK-ut.
Kjo tregon se në çfarë niveli ka degjeneruar institucioni më i lartë dhe më i rëndësishëm i vendit për fushën e shkencës, të artit, etj.. Kur në Akademi kemi e do të kemi kuadro të tilla, imagjinoni tash çfarë kuadrosh kemi nëpër universitetet tona, nëpër kolegjet tona, nëpër shkollat tona në Kosovë! E pas kësaj, as njeriu me imagjinatën më të pasur në botë nuk mund të imagjinojë të ardhme për këtë shoqëri! Pra, kjo Akademi, në vend që të ndërtojë të ardhme për këtë vend e për këtë shoqëri, ajo e vret këtë të ardhme.
Vetëm këto dy lajme të një dite na dëshmojnë që jeta më nuk është e sigurt në Kosovë, e ardhmja aq më pak!
Shkruan: Jusuf Thaçi