Lladrovci ngushëllon familjen Zogaj nga Komorani me rastin e vdekjes së piktorit, shkrimtarit, ish-zyrtarit komunal, atdhetarit Sadik Zogaj

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-zyrtarit komunal Sadik Zogaj, njëherit ish-udhëheqësit të Shtabit Civil në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryetari Lladrovci ka ngushëlluar familjen Zogaj nga Komorani.
“Zyrtarët komunal si Sadik Zogaj janë pasuri e madhe për secilën komunë në të cilën ata punojnë dhe veprojnë, i tillë ishte edhe Sadik Zogaj që punojë për vite të tëra me zell në shërbim të qytetarëve të Komunës së Drenasit.
Kupola e angazhimit ishte edhe gjatë kohës së luftës, atëherë kur populli ynë kishte më së shumti nevojë për angazhimin e gjithësecilit nga ne, ku edhe Shtabi i Përgjithshëm gjeti vend në shtëpinë e vëllait të Sadikut, Nezir Zogajt.
Të gjithë të angazhuarit për çështjen kombëtare gjenin strehim tek familja e tij, ndiheshin si në familjet e tyre, ishte mbështetës për ta në kohën kur kishin nevojë më së shumti për të, për Sadikun dhe Nezirin.
Shërbyes në paqe dhe shërbyes në luftë, shërbyes i popullit ishte Sadiku, humbja e së cilit është humbje e madhe për gjithë vendin tonë”, shtoi tutje kryetari Lladrovci.
Ngushëllime familjes Zogaj, nder dhe respekt i përjetshëm për veprimtarinë atdhetare të Sadikut!