Lladrovci- Dugollit: Për atdheun kam qenë dhe jam bashkë por arsimi aktualisht është prioritet

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe deputeti i VV-së, Enver Dugolli kanë shkëmbyer në distancë komente pro et contra sa i përket qeverisjes, grevës dhe mundësisë së luftës.
Postimit të Lladrovcit i cili thotë se greva e zgjatur në arsim po mjegullohet me retorikën e luftës i ka reaguar Dugolli duke thënë se shpesh herë Lladrovci po mundohet ta “mëson” Kryeministrin Kurti se si dhe çka deklaron për politikat shtetërore e nacionale.
“Është fakt i pamohueshëm që i vetmi rrezik me përmasa lufte që i kanoset vendit tonë është Serbia. Prandaj këtë rrezik as nuk e sjell e as nuk e zhbënë ndonjë deklaratë apo qëndrim i kujtdo qoftë”, ka shkuar Dogolli.
Ndërsa i menjëhershëm ka qenë kundëreagimi i Lladrovcit. “Meqë nuk kisha mundësi të komentoja në profilin e shokut tim, Enver Dugollit, përgjigjen po e publikoj këtu: Për atdheun, kam qenë dhe jam bashkë, në çdo kohë, por, nuk e kuptoj një gjë aq të thjeshtë – arritjen e marrëveshjes me sindikatën. Vërtetë kemi probleme – investimet kapitale dhe realizimi i projekteve të filluara. Besoj se të gjithë janë në dijeni se kush i sinjalizon rreziqet, kush qëndron krah nesh nga lufta e UÇK-së e këndej, kush na ndihmoi të arrijmë deri këtu, me shtet, organe të shtetit dhe ato të sigurisë”, ka shkruar Lladrovci.
Sipas tij, siguria, as ajo e BE-së, nuk është në duart e saj, por, arsimi e fushat tjera, po. Arsimi, aktualisht është prioritet. Sa i takon të kaluarës, ata që kanë dhënë kontribut, do të japin prapë. Këtu jemi! Respekt!