Drenori: Garë automobilistike brenda qytetit… kjo vetëm në Drenas mundet me ndodhë!

Shkruan: Xhavit Drenori
Paralizohen qytetarët që jetojnë në apartamente banimi për thuajse tërë ditën (e ku janë nevojat për blerje apo rastet emergjente për autoambulancë apo zjarrfikësa?!). Jo vetëm zhurmë e tmerrshme (dhunë psiqike për fëmijë/bebe por dhe për të moshuar që jetojnë më numër të madh në ndërtesat e të cilat ishin bllokuar për gjatë tërë ditës).
Ndotje e mjedisit enorme nga automobilë garues që kanë shumë kuaj fuqi. Dhe mbi të gjitha: e vetmja masë siguruese në pistë ishte një shirit i lidhur nëpër disa pengesave të metalta, pra #siguria ishte #zero.
Nuk e kuptoj se si policia nuk e ka rekomanduar/këshilluar për rrezikun, kryetarin apo personin përgjegjës të komunës që ka lëshuar një Leje për këtë aktivitet të rrëzikshem për banorët e qendrës së qytetit! Gara të tilla në kushte normale organizohen jashtë qytetit dhe përgjithësisht ku nuk ka banorë afër, madje me masa sigurie (pllaka të mëdha betoni apo plastike) e asesi në qender të qytetit sepse gara zhvillohet kush po arrinë i pari në cak (pra matet shpejtësia dhe manovrimi).
E dhimshme t’i shohësh policët në kthesa duke “ruajtur rendin” dhe duke rrezikuar jetët e tyre sepse rreziku i rrokullisjës së veturave me shpejtësi të madhe në këto kthesa është enorme. Kjo Leje e lëshuar nga përgjegjësit komunal duhet të jetë objekt hetimi sepse sot sinqerisht është rrezikuar jeta e qytetarëve sepse masat mbrojtëse ishin zero.
(Autori është kryetar i IQ Green për Drenas)