Përkujtohen heronjtë Bedri Shala e Bekim Berisha-Abeja

Më rastin e 24-vjetorit të rënies heroike të Bedri Shala e Bekim Berisha-Abeja, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci së bashku me nënkryetarin e Komunës së Drenasit, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale dhe familjarë të heronjve, kanë bërë homazhe në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Me këtë rast, ata kanë vendosur buqeta me lule të freskëta pranë shtatores së Heroit Bedri Shala, në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.
Bedri Shala ra heroikisht më 10 Gusht të vitit 1998 gjatë luftimeve në mbrojtje të Junikut, bashkë me Bekim Berishën- Abeja si dhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka e Përmet Vula.
Sot 24 vite nga rënia është i freskët kujtimi për luftëtarët që nuk u ndalën asnjëherë deri në flijim për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Flijimi i tyre është vulë në memorien e secilit qytetarë të vendit se asgjë nuk duhet të ndalojë kontributin e tij për atdhe.
Dëshmorët e kombit termin “frikë” nuk e njihnin kur ballafaqoheshin me agresorin serb, përkundrazi ky term ishte ngulitur thellë në zemrat e agresorëve kur ballafaqoheshin me trima si Bedri Shala e Bekim Berisha – Abeja.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!