Vrasja e 15 vjeçarit dhe babait të tij në Gradicë, mungojnë dëshmitarët në gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Xhafer dhe Amir Bardhi, babë e bir po akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore kanë privuar nga jeta të miturin A.M, 15 vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Shqyrtimi i sotëm gjyqësor, u shty për shkak të mungesës së të dëmtuarve/dëshmitarëve S.M, V.M, D.M, V.M dhe dëshmitarit të rastit F.B.

Për mungesën e tyre, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi konstatoi se për të njëjtit deri tani fletë kthesat nuk i janë kthyer gjykatës dhe nuk dihet nëse i kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt apo jo.

Të njëjtit do ftohen me ftesa të rregullta për seancën e radhës e cila u caktua më 26 shtator të këtij viti.

Përkundër mungesës së tyre, në seancën e sotme të pranishëm ishin prokurori, Bashkim Zeqaj si dhe dy të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi.

Për të akuzuarin Xhafer Bardhi i pranishëm ishte dhe mbrojtësi i tyre sipas autorizimit avokat Haxhi Millaku , ndërsa për të akuzuarin Amir Bardhi avokati sipas autorizimit Agron Hoti.

Sa i përket palës së dëmtuar, S.M prezent ishte avokati sipas autorizimit Ndrec Dodaj.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin tani të ndjerin A.M 15 vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuzë thotë se, të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë dru, për ta marr traktorin dhe për të ngarkuar drutë të cila kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se çka jeni duke bërë, i njëjti i tregon se jemi duke prerë dru në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë dru, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amiri nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë dru në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe nisët më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë dru.

Aty, i pandehuri Amiri thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim birë se u bo m**”.

Aktakuza thotë, se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin,Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur dru, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë.

Ndërsa, i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vet.

E me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë