Pamje mahnitëse nga Drenasi/ Mbushet sheshi përplotë me qytetarë në ‘Muajin e mërgatës’

Ka nisur sonte ‘Muaji i Mërgatës’ në qytetin e Drenasit. Mijëra qytetarë janë mbledhur në hapjen e këtij muaji, shkruan DrenicaOnline.

I pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka përshëndetur të pranishmit duke i uruar për këtë muaj.

Fjalimi i plotë i Lladrovcit:

Muaji i Mërgatës në Drenas

Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara motra e vëllezër nga Mërgata,
Zonja e zotërinj,

Rikthehemi pas dy vitesh ndalesash pandemike me Muajin e Mërgatës, këtu në sheshin “Fehmi Lladrovci”, këtij sheshi, ku në mes, madhështor qëndron komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, Hamza e Baca Shaban, jemi këtu, në sheshin ku është i përjetësuar Ilaz Kodra, Bedri Shala, Rasim Kiçina, këtu, te shtatoret emblematike të qytetit tonë, Fehmiut e Xhevës.

Jam këtu për t’ju thënë, mirë se keni ardhur!

Në këtë mbrëmje madhështore dhe muajin e Mërgatës, të organizuar enkas vetëm për Ju, duam të shprehim respektin, për jetën që e sakrifikoni larg atdheut dhe përkrahni familjet tuaja këtu.

Jo vetëm familjet tuaja, ju edhe Kosovën e gjallëroni, ju e fisnikëroni, ju e bëni Kosovën më të bukur, ju i jepni dritë Kosovës.

Ne punojmë aq sa mundemi, por, mërgimtari i jep frymë shtesë Kosovës, i jepi dinamikë Kosovës, i jep energji të pashtershme.

Vëllezër e motra nga Mërgimi,

Ju keni qenë dhe jeni shpirti i lirisë së Kosovës. Këtë e di unë, kur isha mërgimtar, ashtu sikur ju.

Kur zemrat e mërgimtarëve u bënë një, e thyen çdo barrierë, me bijat e bijtë më të mirë, u nisën në vijat e para të llogoreve, u hodhën në flakë për liri.

Sonte në mesin tonë, nuk janë fizikisht Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe shokët tjerë, por presim që të fitoj drejtësia dhe të kthehen në mesin tonë sa më parë.

Nga mërgimi, erdhi ndihma, erdhi përkrahja, edhe fuqia e lirisë tonë.

Nga mërgimi vjen përvoja më e mirë për arritjet, për avancimin e shtetit tonë, Republikës tonë, kombit tonë.

Falënderoj organizatorët, pjesëmarrësit për këtë muaj kushtuar Mërgatës, duke ju lutur nga zemra, të respektoni rregullat e organizatorit.

Ruajeni rendin, tregoni kulturë për secilin që gjendet këtu në Shesh.
Në mesin tonë kemi mysafirë nga krejt Kosova. Edhe sonte, edhe çdo natë, do të dëshmojmë se jemi qytetarët më të mirë të komunës më të mirë.

Gjatë këtyre netëve, ju ftoj ta ruani ambientin, pronën private e publike.

Ju ftoj të gjithëve, të jeni nikoqir të mirë, ashtu siç di Drenasi, ashtu siç di Drenica, mikpritës e bujar, sepse këtë e kemi traditë.

Gëzohuni!

Kjo është mbrëmja dhe muaji Juaj, muaj i të rinjve tanë, i djemve e vajzave tona që ju fle dhe pushon zemra në atdhe.

Ne jemi këtu që t’ju themi se askund në botë nuk jemi më të mirëpritur se në atdhe.

Ju këtu edhe ëndrrat i shihni më të bukura.

Andaj, këto mbrëmje kushtuar mërgatës, nderojeni njëri-tjetrin dhe kujdesuni të kaloni këtu në shesh mbrëmje të paharrueshme dhe të këndshme.

Ruajeni njëri-tjetrin, ruajeni miqësinë e shoqërinë, sepse jemi pak për të qenë larg njëri-tjetrit.

Faleminderit për këtë ambient madhështor, këtë atmosferë të jashtëzakonshme, falënderoj grupet muzikore që do të performojnë dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Ju falënderoj për këtë mbrëmje madhështore, për juve që jeni krenari e kombit.

Ndjehuni mirë, ndjehuni të lumtur, këtu, në Drenicën e lirisë, në Drenicën e mikpritjes dhe bujarisë.

Ju faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë