4 mijë kg grurë për hektar/ Ministri Peci viziton bujkun Vllaznim Muçolli

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vizituar Vllaznim Muçollin, bujk e mullixhi, ku nga afër ka parë finalizimin e fushatës së korrje-shirjeve.

Me këtë rast, Ministri Peci është njoftuar nga afër me gjithë zinxhirin e prodhimit të grurit, që nga mbjellja e rreth 103 hektarëve deri tek rendimenti i këtij viti, ku Vllaznimi ka arritur të korrë 4000 kilogramë grurë për hektarë.

Mulliri i këtij fermeri ka një kapacitet grumbullimi e përpunimi prej 5.000.000 kg grurë për të gjithë bujqit që dëshirojnë që rendimentin e tyre ta dorëzojnë në mulli. Krahas kësaj, Vllaznimi ka në pronësi edhe furrën e bukës ku ushtron edhe zejen e furrëtarit.

Ndër tjerash, Ministri Peci i njoftoi fermerët e këtij rajoni se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë, përmes Programeve mbështetëse financiare siç është Programi i Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022, ka bërë gjithçka që varet nga përkrahja institucionale, përfshirë këtu subvencionimin e katërfishtë për kulturën e grurit, duke filluar nga mbështetja për sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore e duke vazhduar me 54€ / ha për subvencionimin e vlerës së akcizës së naftës, 150€ / ha për plehërimin pranveror dhe 0.03 cent /kilogram për rendiment të grurit të dorëzuar në mulli, ku duke i përllogaritur të gjitha këto përkrahja financiare për një hektarë të kultivuar me grurë arrin vlerën në 474€. Bashkë sigurojmë bukën e sofrës!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë