I ka kënduar me aq dashuri vendit të saj. Bukuritë e Kosovës merrnin edhe më shumë hijeshi kur ajo këndone “Erdha nga qyteti në fshat”. Meloditë që vetëm Shkurte Fejza diti t’i nxjerr kur i këndonte atdheut të vuajtur e bënin Kosovën të dukej me e fortë edhe përballë cdo furtune.
E thërrsite “Kosovë nëna ime”, tregonte me mburrje “E kam emrin kosovar”, dëshpërohej kur zogu ndalte këngën dhe gëzohej kur pushka e lirisë dëgjohej në mal. Për më shumë se 40 vjet karrierë këndoi për rininë, burrat e gratë e këtij vendi. Thuri vargje e këndoi për ushtarët, dëshmorët e lirinë e Kosovës.
Thjeshtë e donte vendin e saj, prandaj i dedikoi shumë këngë. Por kurrë, Shkurte Fejza, nuk e kishte menduar se një ditë do ta këndojë një këngë që flet për zhgënjimin e saj me vendin ku lindi. Këngëtarja e madhe ka nxjerrë këto ditë këngën me titull “Ah Kosova jonë”, në brendësi të cilës shihet një deshpërim i thëllë i këngëtares për vendin e vet.
Në këtë intervistë për Magazina.al, si asnjëherë më parë Shkurte Fejza flet e dëshpëruar për ata që sot janë në krye të shtetit dhe që po lejojnë shkatërrimin e vendit.
Magazina.al Sapo keni publikuar një këngë që prezanton Kosovën në mënyrën me të mirë. Është e vështirë për një artiste si Ju, ta shoh vendin e vet në këtë gjendje?
Shkurte Fejza: Artisti i mirëfilltë bashkëjeton si me gëzimet ashtu edhe me brengat dhe hallet e popullit. Nuk mund të ndahesh nga njerëzit e tu dhe të kënaqesh me një mirëqenje që mund ta krijosh për veten tënde sepse kjo është egoizëm i skajshëm. Nuk ka nevojë me shjegu sepse ajo po shihet se situata në vendin tonë nuk është e mirë dhe nuk kemi të drejtë morale të fajsojmë askend nga jashtë. E kemi shkatërruar cdo gjë në këtë vend , arsimin , kulturen, ekonominë, token, ajrin, ambientin e deri edhe njerëzit. Cdo gjë është degraduar skajshmërisht, kush po mund po vjedh dhe nuk ka turp.
Magazina.al Kujt duhet t’i vije keq kur e dëgjon vargjet e këngës “Ah Kosova jonë”?
Shkurte Fejza: Të gjithë neve dhe duhet të kthjellemi dhe të punojmë ma shumë për këtë vend.Unë këngën time e konsideroj si një mision për dekada me radhë dhe jam munduar të jap një porosi për të miren e vendit tim. Cdo popull në botë ka në gjirin e vet, pos njerëzve të mirë, edhe hajdutë, kriminel, të pamoralshëm dhe faqezi, ashtu edhe ne, por nuk iu mundësohet që ta udhëheqin vendin dhe ta shkretojnë në këtë mënyrë. Duhet të bazohemi në traditën tonë kur këta tipa injoroheshin dhe përbuzeshin e jo të bëhen liderë dhe shembull për gjeneratat e reja. Ne shqiptarë jemi popull i vogël dhe i ndarë dhe me shumë problem nga jashtë dhe nuk mund t’i lejojme vetes edhe shumë luks që të pranojmë njerëz kaq të papërgjegjshëm me na udhëheq.
Magazina.al Kush e solli Kosovën në këtë situatë që ju me dhimbje i drejtoni në këngë “Ah Kosova jonë”?
Shkurte Fejza: E kam thënë edhe në një rastë se Kosova pati fatin e keq sepse pas luftës ra në duar të djemëve të këqinjë dhe kjo është më e buta që mund të thosha. Por këta djem të këqij nuk kanë të ndalur. Kanë formuar parti të ndryshme gjoja njëra ma e mirë se tjetra e në fakt po del se secila është më e keqe se tjetra. Njerëzve të ndershëm që janë brenda tyre nuk iu japin mundësi dhe ua pamundësojnë që të japin kontributin e tyre për të mirën e vendit. Nuk duhet lejuar askujt që ta dëmtojë këtë vend për të cilin kanë sakrifikuar shumë shqiptarë – gjeneratë pas gjenerate. Askush nuk e ka këtë drejtë ta keqpërdorë as gjakun e dëshmorëve dhe as kontributin e baballarëve tanë.
Magazina.al Jeni e njëjta këngëtare që me mburrje përmes këngës dikur thonit “e kam emrin kosovar”, tash po e njëjta jeni e lënduar me vendin Tuaj. Keni shpresë se Kosova do kthehet në rrugë të mirë?
Shkurte Fejza: Edhe sot mburrem me këtë emër, dhe shumica e këngëve të mia iu kushtohet njerëzve të mirë dhe meritor. Porosia e kësaj kënge pretendon të zgjojë ndërgjegjen e fjetur për të punuar ma shumë për të miren e vendit tonë. Kam shpresë të madhe se Kosova dhe gjithë shqiptaria do të shkojë në rrugë të mbarë. Por nuk guxojmë të heshtim ndaj të keqes se pse marrim edhe ne një lloj përgjegjësie. Eshtë moment ndoshta i fundit që të bëhet kthesa e madhe ashtu si që e kemi bërë disa herë në të kaluaren gjer me 1999.
Magazina.al – A keni menduar që Kosova do vjen në një kohë kur do t’i thoni “kështu më mirë mos të kisha pa”?
Shkurte Fejza: Jo, këtë sinçerisht nuk e kam menduar as unë e besoj se shumëkush nga ne dhe shyqyr që se kemi menduar. Kujt i ka shkuar mendja se dëshprimi më i madh të vjen nga njerëzit tanë. Më duket se askush ma shumë se unë nuk i është gëzuar lirisë së Kosovës. Kemi dhënë shumë për këtë liri, kemi dhënë njerëzit tanë, familjarët tanë dhe kjo na djeg në shpirt. Sa dëshmorë kanë dhënë jetën dhe iu kanë mbetur sytë qelë që ta shohin Kosovën e lire, një Kosovë me perspektiv për fëmijët e tyre.
Magazina.al – Thoni në këngë që “E kam deshtë një Kosovë tjetër”. Si duhet të jetë Kosova ndryshe?
Shkurte Fejza: Një Kosovë me vlera europiane dhe e bazuar në tradita të lashta iliro-dardane e jo Kosovë e llumit ballkaniko-lindor. Një Kosovë e idealeve te atyre që nuk kursyen dhe dhanë gjithcka për këtë vend që fëmijët e tyre ta gezojnë. Kjo është Kosova që kemi pritur dhe jemi angazhuar.
Magazina.al – Kur besoni se do ta bëni një këngë të re e cila për temë do ketë Kosovën ashtu siç e duam?
Shkurte Fejza – Varet nga ne, mundet edhe shpejtë por edhe nese dikush tjetër ta këndoj është e njejtë vetem le te bëhet mirë. Duhet të jemi optimist por duhet të punojmë ditë e natë pa u ndalu për këtë vend të bekuar. Unë e kam edituar edhe një këngë festive menjehere pas kesaj; këngen “Prishtinë – Tiranë”, sepse ne edhe me tutje do të këndojmë , do të festojmë por edhe duhet të punojmë për të ardhmen e vendit dhe t’ia mbyllim derën të keqes.