Ky është fjalimi i Lladrovcit në konventën e partisë

Në Konventën e tetë të Partisë Demokratike të Kosovës fjalë rasti ka mbajtur edhe kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Në vijim ua përcjellim gjithë fjalimin e Lladrovcit:
Fjala ime në ditën e parë të Konventës së 8-të Punuese të Partisë Demokratike të Kosovës, të mbajtur sot, në Prishtinë
I nderuari Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli,
Anëtar të Këshillit drejtues dhe Kryesisë së Partisë,
Anëtar dhe pjesëmarrës të Konventës së VIII-të punuese,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin t’ju drejtohem shkurt, që t’ju falënderoj për përkrahjen e fuqishme që i keni dhënë Drenasit në zgjedhjet e fundit. Erdhët dhe u bindët për nevojat tona.
Faleminderit kryetar Veseli që premtimet po i bëjmë realitet. Falënderoj mbështetjen e Degës së Partisë Demokratike në Drenas që me urtësi mbështet punën në komunën tonë.
Falënderoj deputetët dhe ministrat që me prioritet i keni trajtuar projektet e komunës së Drenasit. Ne nuk do të ndalemi të punojmë dhe dëshmojmë pse jemi bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike.
Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet tona për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve të Drenasit.
Me punën tonë të përbashkët, do të angazhohemi që votat e zgjedhjeve të fundit, të shtohen. Kështu siç po punojnë drejtorët e Departamenteve dhe gjithë stafi i komunës, në shërbim të qytetarëve, besoj fuqishëm se vota jonë do të shtohet për 50% nga numri i votave tona të fundit.
Këtë votë do ta shtoj edhe investimi i nivelit qendror për zonat e paprekura deri tash nga investimet. E shton qasja jonë ndaj problemeve jetike të qytetarëve. Ju faleminderit Kryetar Veseli për angazhimin Tuaj ndaj kërkesave dhe nevojave tona.
Çdo qytetar i Drenasit, është i bindur se komuna është në shërbim të tyre. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Pres nga kjo konventë, të vlerësojë fuqinë e bastioneve dhe në të ardhmen investimet kapitale të drejtohen aty. Pres që të kemi përfaqësim edhe në nivelin qendror të ekspertëve nga Drenasi.
Drejtoreshat e departamenteve të Drenasit, janë shembull i angazhimit, punës dhe përkushtimit.
Konventës i uroj sukses dhe punë të mbarë, me mesazhin se fitoret në Drenas nuk do të ndalen, ato do të jenë edhe më bindëse se deri sot. Drenasi do të jetë shembull i qeverisjes së mirë.
Drenasi ishte dhe është zemra e Partisë Demokratike të Kosovës.
Suksese PDK-së, partisë që e themeloi lideri i saj historik, z. Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i vendit.
Urime kryetarit të tashëm dhe Kryeministrit të ardhshëm z. Kadri Veseli.
Urime, gëzuar!
Ju faleminderit!
Prishtinë, më 25.3.2017