Kurti për Kiçinën e Halilajn: Përveçse trima ata ishin edhe të përgjegjshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për shumë luftëtarë, konfrontimet e tyre direkte me policinë serbe në rininë e hershme, bëheshin përcaktuese të rrugës së rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.

“Momente të tilla i kthyen Rasim Kiçinën dhe Ragip Halilajn në luftëtarë të paluhatshëm dhe të pathyeshëm. Përveçse trima ata ishin edhe të përgjegjshëm. Rrezikut që i kanosej popullatës civile nga forcat e armatosura serbe i qëndruan përballë deri në vetëmohim. U vranë më 30 maj 1999, në luftime të ashpra me forcat serbe në Arllat”, ka thënë Kurti, transmeton DrenicaOnline.

Ai tha se në këtë 23 vjetor të rënies heroike të Rasim Kiçinës e Ragip Halilaj, shprehim respektin deri në përulje për këta kolosë të lirisë.

“Rruga patriotike dhe e ndershme është ajo që na e mësuan dëshmorët e kombit. E kemi detyrë dhe obligim, që si institucione dhe si shoqëri të vazhdojmë të ecim asaj rruge”, ka deklaruar Kurti./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë