Vetëvendosje padit KQZ-në (Dokument)
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kjo padi u ngrit nga shefi i asambleistëve të kësaj lëvizjeje, Qëndron Kastrati për shkak të siç tha ai zëvendësimit të jashtëligjshëm të një anëtareje nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Bëhet fjalë për zëvendësimin e Lirijeta Rexhepi-Lecit me Egzona Podvoricën.
“E paditura, me datën 13 tetor 2016 ka nxjerrë vendimin 804-20162 me të cilin ka bërë zëvendësimin e anëtares së Kuvendit të Komunës së Prishtinës, znj. Lirijeta Rexhepi-Leci, duke e zëvendësuar atë me znj. Egzona Podvorica’.
“E paditura në vendimin e saj ka bërë zëvendësimin e të lartëpërmendurës duke u mbështetur në inicimin e procedurës së zëvendësimit nga ana e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës z. Halim Halimi. Në arsyetimin e vendimit të të paditurës, e paditura thekson se zëvendësimi është bërë nën arsyen senj. Lirijeta Rexhepi-Leci ka munguar prej 3 (tre) muaj rresht në seancat e Kuvendit të Komunës”, thuhet mes tjerash në padi, njofton Klan Kosova.