Festivali PriFest do të organizohet edhe në Skenderaj

Festivali PriFest do të organizohet në qytetin e Skenderajt, me një numër të filmave që do të shfaqen para publikut vendës.
Ky aktivitet është bashkorganizim mes PriFest dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, dhe do të zhvillohet me datë 28 maj, në sallën kryesore të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”.
Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Alban Berisha, ka thënë se drejtoria që udhëheq vazhdon përkushtimin për të zhvilluar aktivitete kulture e artistike në qytetin e Skenderajt, për t’i shfaqur publikut filma të llojllojshëm.
“Qëllimi ynë është që të ngjallim jetën kulturore e artistike në qytetin tonë. Prandaj, ne si drejtori jemi duke punuar çdo ditë që në bashkëpunim me organizata, festivale dhe kinematografi, ta pasurojmë më shumë agjendën e aktiviteteve kulturore”, ka thënë drejtori Berisha.
Janë 4 filma: “Rruga”, “Sea by the River and River by the Sea”, “Adelina” dhe “Vlora” që do të shfaqën me datë 28 maj, nga ora 14:00, nëpërmjet kino-projektorit.