AGK i reagon Lladrovcit, i cili gazetaren e quajti dreq e mediat të poshtra (VIDEO)

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke qeshur, ka thënë se mediat janë të poshtra. Këtë konstatim, ai e ka thënë në një takim me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin.
Shefi i Komunës para se të flas me zyrtarët e PDK’së dhe të Qeverisë ka thënë se s’po mund t’i thotë disa fjalë para Stavilecit meqë ende në sallën ku po mbahej takimi ishte prezentë një televizion.
Ndërkohë, kur ka përfunduar takimi, Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, e ka pyetur Lladrovcin nëse ia ka kryer një punë, të cilën e kishte porositur.
Lladrovci i thotë Kocit se për këtë punë ka dashur ta thërras zyrtarisht. Nuk dihet saktë se po bëhet fjalë për ndonjë punësim apo diçka tjetër.
Më këtë rast, gazetarja e Klan Kosovës, Arbërsha Fazliu e ka xhiruar pjesën kur zyrtarët e Shtetit flasin për punën qe ende s’është kryer.
“O dreq”, i ka thënë Lladrovci gazetares, duke ia vendosur dorën mbi kokë.
Pas këtij veprimi ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka kërkuar nga Lladrovci t’i kërkojë fjale gazetës për sjelljet e pahijeshme në raport me te.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon gjuhën e përdorur ndaj medieve nga ana e kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me datë 23.03.2017. AGK-ja poashtu shpreh indinjatë për sjellje joadekuate nga ana e kryetarit Lladrovci në raport me anëtaren e AGK-së, njëherësh gazetaren e “Klan Kosovës”, Arbrëresha Fazliu”, thuhet në reagimin e AGK’së.
“AGK e pret me shqetësim njoftimin nga kolegia Fazliu, e cila veprimin e Lladrovcit e cilëson të papranueshëm dhe ofendues për te. Njëherësh ne kërkojmë nga kryetari i komunës së Drenasit që t’i kërkojë falje koleges Fazliu për veprimin e tij. Lladrovci si zyrtar i lartë duhet që të jetë shembull për sjellje në raport me gazetarët si dhe qytetarët në përgjithësi”.
Videoja ku shihet Lladrovci derisa flet për mediat e poshtra; për pazaret me Gani Kocin; për gazetaren dreq.