Fadil Muqolli e Teuta Elshani nga Pokleku priten në takim nga ministrja Haxhiu

Pavarësisht viteve që kalojnë, Fadil Muqolli dhe Teuta Elshani tregojnë njësoj dhimbjen për familjarët e vrarë në masakrën e Poklekut.
Është dhimbje e shumëfisht sepse deri tani, ndonëse kanë kaluar 23 vite, nuk ka drejtësi për këto krime të rënda dhe kriminelët serb të luftës enden të lirshëm.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me Fadilin dhe Teutën diskutuan për rëndësinë e dokumentimit institucional të krimeve të kryera nga Serbia dhe angazhimin që duhet ta ketë prokuroria speciale në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Duhet të jemi në nivelin më të lartë dhe në përgjegjësinë më të lartë që të mos ndalemi kurrë dhe ta ngrisim zërin për gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, këto krime as nuk harrohen dhe as nuk mund të falen prandaj mbetet detyrë e të gjithëve që me ngulm t’i adresojmë ato, e drejtësia të vije në vend.