KEK-u vetëm 10 km larg Ferronikelit, por nuk po ia shet rrymën

Drejtori Teknik në Ferronikel, Faruk Beqiri, ka treguar se si mund të ndihmojë Qeveria e Kosovës që kompania t’i kthehet punës.

“Nuk e kemi ngarkuar qeverinë që në dhjetor, janar ose në shkurt me bo zgjidhjen me rrymë por së paku në mars kur konsumi bie. Ne krejt e kemi dëgjuar në media se ka pasur eksport të rrymës me një çmim të caktuar që ka qenë nën çmimin e berzës, kështu që rrymë ka për me furnizuar Ferroniklin. Ferronikli nuk kërkon që të furnizohet qind për qind me rrymë por 30 – 40 për qind të 50 megavatshit. Kjo është 2 për qind e prodhimit të KEK’ut”, shpjegoi Beqiri në T7.

“Ajo rrymë që na jepet neve ndoshta dy-trefishohet në të ardhura mandej në buxhet të shtetit. Kjo është zgjidhja”, shtoi ai.

Ndërkohë opinionistja Donika Kadaj-Bujupi sqaroi se nuk bëhet fjalë për problem teknik në furnizimin e Ferronikelit me energji elektrike nga KEK’u.

“Është diku 10 Km linja e furnizimit, nuk bëhet fjalë për problem teknik. Domethënë është 10 km linja e furnizimit edhe rryma në vend se me u eksportu me çmime të lira, me çmime përafërsisht të njëjta mundet me iu shit një kompanie prodhuese industriale vendore e cila i ka dy mijë punëtorë nën përgjegjësinë e saj dhe e cila është 10 km larg prej KEK’ut”, tha Donika Kadaj-Bujupi.

“Gjithë kjo neglizhencë në një moment kur është e mundur zgjidhja, për mendimin tim është krejt e pakuptimtë”, tha ajo.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë