Kryetari Lladrovci merr pjesë në punëtorinë përmbyllëse të projektit “Planifikimi Hapësinor dhe Menaxhimi i Tokës”

Me ftesën e GIZ-it gjerman, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marr pjesë në këtë takim, ku edhe ka pasur fjalë rasti në përmbledhjen e rezultateve dhe sfidave kryesore të planifikimit dhe menaxhimit të tokave komunale (PZHK dhe HZK).

Para të pranishmëve, kryetari Lladrovci paraqiti këtë fjalë rasti;

Të nderuar të pranishëm,

Janë bërë disa vite që kur Komuna e Drenasit në bashkëpunim me GIZ-in Gjerman ka nisur procesin më të rëndësishëm për planifikimin hapësinor dhe menaxhimin e tokës, përkatësisht Planin Zhvillimor Komunal i cili ka përfunduar me sukses dhe Hartë Zonale që ende është në proces.

Komuna ka hasur në vështirësi gjatë hartimit të këtyre dokumenteve në adresimin e çështjeve si: ndërtime në tokë kualitative bujqësore (komasacion), gjë e cila ka mbetur e pazgjidhur nga ana e nivelit qendror tash e 20 vjet, vendbanimet joformale, ndërtimet pa leje, mungesa e tokës komunale për vendosjen e shërbimeve publike-sociale në zonën urbane, zhvendosja e popullsisë nga viset rurale në zonën urbane etj. Madje, edhe korniza ligjore e cila është bazë për hartimin e këtyre dokumenteve nuk ka qenë në harmoni.

Ne e falënderojmë GIZ-in gjerman që këto shqetësime tona i ka adresuar dhe tash po përfundojmë dokumentin më të rëndësishëm, hartën zonale, ku do të përcaktohen qartë kushtet zhvillimore për secilën zonë.

Të nderuar të pranishëm,

Me lejoni që në pika të shkurta të sjell një kronologji të këtij procesi, po aq i rëndësishëm sa edhe sfidues.

Në vitin 2017, Komuna jonë është përzgjedhur si një nga pesë komunat partnere të projektit “Planifikimi Hapësinor dhe Menaxhimi i tokës”. Fillimisht, ne kemi nisur me vlerësimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe atij Urban (PZHU) në vitin 2018, dhe pastaj kemi marrë vendimin për hartimin e PZHK-së dhe HZK-së, me mbështetjen e projektit.

Me mbështetjen e GIZ, ne kemi mbledhur të gjitha të dhënat në sistemin informativ gjeografik (GIS) dhe me këtë është krijuar një bazë të dhënash reale nga terreni, duke i mundësuar komunës të marr vendime të bazuara në informata gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor.

PZHK është zhvilluar me një proces të mirëfilltë konsultativ me të gjitha palët e interesit, në bazë të ligjit për planifikim hapësinor. Më e rëndësishmja është që ky proces është udhëhequr nga stafi komunal, por me mbështetjen dhe ekspertizën e ofruar nga projekti i GIZ-së. Gjatë hartimit të PZHK-së është pilotuar pjesëmarrja e komunitetit në formë digjitale, e cila ka ngritur dukshëm nivelin e demokracisë dhe transparencës për komunën e Drenasit gjatë hartimit të këtij dokumenti. Përmes kësaj platforme komuniteti i gjerë ka patur qasje në dokumentin e PZHK-së dhe kanë dhënë vizionin e tyre për zhvillimin e Drenasit për 8 vitet e ardhshme. Duhet të ceket që 40% të pjesëmarrësve në këtë proces kanë qenë gra e vajza të komunës së Drenasit. PZHK për Drenasin është aprovuar në vitin 2021, pas pëlqimit të dhënë nga MMPHI.
Këto ditë komuna e Drenasit është duke pritur pëlqimin nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për aprovimin e draft hartës zonale, e cila po ashtu u udhëhoq nga drejtoria e planifikimit dhe urbanizimit brenda komunës, me mbështetjen profesionale nga GIZ, dhe me këtë përmbyllet një cikël i planifikimit për Komunën.

Për më tepër komuna e Drenasit është mbështetur edhe më aplikacionin përkatës për inspektim të ndërtimit, e cila shpresoj që do të jetë motivim edhe për komuna të tjera. Ky aplikacion ka për qëllim të mundësojë inspektimin efektiv, të zhvillimeve në tokë bujqësore e cila për komunën e Drenasit është një ndër asetet më të vlefshme.

Komuna e Drenasit është e përkushtuar në aprovimin sa më të shpejtë të hartës zonale, e cila po udhëhiqet me përkushtimin nga zyrtarët profesional të komunës dhe më këtë, të pajiset me instrument për kontrollin e zhvillimit për tërë territorin e komunës. Deri me tani ka përfunduar procesit i konsultimit publik dhe janë marrë sugjerimet dhe kërkesat e qytetarëve dhe pas procesit të vlerësimit nga niveli Qendror presim ta miratojmë në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal .

Dëshiroj qe shpreh falënderimet e mija dhe te qytetarëve te Drenasit për kontributin qe ka dhënë GIZ në realizmin e këtij projekti dhe shpresoj që në të ardhmen do te kemi serish bashkëpunime te frytshme për te realizuar punë të mira për qytetarët e Komunës së Drenasit.

Ju Faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë