Vazhdon greva e administratës së gjykatës në Drenas

Ka hyrë në ditën e nëntë greva në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në degët Podujevë dhe Drenasit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi mbikëqyrës i degës në Podujevë, Minir Hoti, tha se greva po vazhdon sikur ditët e kaluara derisa po trajtohen vetëm rastet urgjente.

Greva po vazhdon njëjtë edhe në degën e Drenasit. Kjo është konfirmuar nga gjykatësi mbikëqyrës i kësaj dege, Shefqet Baleci.

Baleci tha se greva po vazhdon dhe se vetëm seancat e rasteve të dhunës në familje dhe tjera urgjente po mbahen.

Ndryshe, më 1 mars fillimisht ka nisur grevën stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në konferencën për medie të mbajtur po atë ditë nga Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale të gjykatës në fjalë, u tha se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.

Këtë grevë, Sindikata e Pavarur e Judikaturës, njoftoi se nuk e përkrah, me arsyetimin se është e njëanshme. Kurse, gjatë të mërkurës, SPJK njoftoi se greva e pezulluar më 2018, do të vazhdojë të mbetet e pezulluar deri më 14 mars.

Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë, grevën e nisi edhe administrata e Gjykatës së Apelit dhe i gjithë stafi i administratës në Pallatin e Drejtësisë.

Por, të mërkurën, zyrtarja për informim e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, njoftoi se Supremja këtë ditë nuk po e vazhdon grevën. Megjithatë, nga 3 marsi edhe Supremja e ka vazhduar grevën.

Greva për momentin ka pezulluar seancat gjyqësore, në përjashtim të rasteve të parabaurgimit dhe atyre të dhunës në familje.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes një komunikate për medie, të martën njoftoi se për momentin nuk e përkrah grevën e filluar nga administrata.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka ftuar organizatorët që ta rishqyrtojnë vendimin për hyrje në grevë dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë