Inspekcioni i Drenasit mesazh marketeve, “kujdes me çmimet…po ju vëzhgojmë”

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Drenasit është duke vazhduar me punën e saj në inspektimin e të gjitha marketeve, furrave, shitjes së derivateve dhe do vazhdojë të jetë në krye të detyrës në mënyrë që mos të lejojë asnjë operator ekonomik të abuzojë më çmimet e produkteve në treg.

Drejtori i Inspekcionit, Petrit Gashi ka deklaruar se pas rritjes së çmimit të derivateve, vajit, sheqerit, miellit e produkteve të tjera esenciale kanë paraqitur shqetësimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe kanë ndërmarr masat e nevojshme, prandaj sot janë takuar edhe me Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku kanë diskutuar për hapat që duhet të vazhdojnë tutje në kontrollimin dhe inspektimin e tregut.

“Ne e njoftuam ministren së Komuna e Drenasit ka qënë ndër komunat e para që ka raportuar për rastet e rritjes së pakontrolluar të çmimeve dhe kërkuam bashkëpunim në menaxhimin e situatës. Bashkë me koleg/e edhe të komunave të tjera, paraqitem shqetësimet tona dhe sfidat në të cilën po përballemi në menaxhimin e situatës e sidomos në fluksin e madh të punës së inspektoreve përkatës”, ka thënë Gashi, transmeton DrenicaOnline.

Ai tha se u pajtuan që të vazhdojnë të jenë në komunikim të drejtpërdrejtë dhe të bashkëpunojnë edhe me Policinë e Kosovës, Doganat, ATK-në, AKK-në institucione të tjera të rëndësishme të cilat ndihmojnë në lehtësimin e kësaj situate.

Ai tha se ata gjithashtu kërkuan bashkërendim të aktiviteteve inspektuese së bashku me ministrinë në të cilën do ta rriste efektivitetin dhe efikasitetin në mbrojtje të konsumatorëve.

“Mbrojtjen e konsumatorit në këtë kohë jo stabile për tregun në Kosove dhe mbarë boten e konsiderojmë akt heroik, prandaj inspektorët tonë janë shndërruar në heronj të vërtetë të mbrojtjes së konsumatorëve nga abuzimet me çmime. Prandaj, përmes këtij postimi ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucione në raportimet e keqpërdorimeve dhe abuzimeve me çmime nga çfarëdo operatori ekonomik. Ne i garantojmë se edhe gjatë fundjavës por edhe mbas orarit të punës do vazhdojmë inspektimin në tërë territorin e komunës tonë dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme konforme ligjeve në fuqi”, ka deklaruar Gashi.

Ai thotë se qytetarët nuk janë vetëm, andaj duhet të jemi bashkë kundër abuzimit me çmime./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë