“Zgjoi” në Drenas, përkujtohet sakrifica dhe qëndresa e gruas!

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport me rastin e 8 marsit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ka organizuar ndër të tjerash, shfaqjen e filmit “Zgjoi”, film i cili ka fituar shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare dhe është nonimuar në listën e ngushtë për Oscar.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Laureta Thaqi para të pranishmëve theksoi se në këtë ditë kur po shfaqim filmi “Zgjoi” në Drenas, shënohet Dita ndërkombëtare e Gruas, që përkujton sakrificën dhe qëndresën e gruas ndër vite.

“Sot, 8 marsin e pasqyrojmë me filmin “Zgjoi” që na bëri krenar me prezantimin e një pjese të së vërtetës tonë, në rrugën për liri, rrugën për çlirim nga okupatori. Filmi shpërfaq sakrificën dhe qëndresën e nënës tonë, motrës e gruas tonë, heroinës tonë, për jetën e re”, ka thënë mes tjerash ajo.

Fjalimi i saj i plotë:

Sot kur po shfaqet filmit “Zgjoi”, njëkohësisht shënohet edhe dita ndërkombëtare e gruas, ditë që gratë fuqishëm marshuan dhe protestuan për drejtësi dhe barazi.

Për ne, për popullin tonë kjo ditë lidhet direkt me 5, 6 e 7 mars, ditë kur Jasharajt heroik sakrifikuan jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, lidhet me ditën e mësuesit, dhe rrjedhimisht merr kuptim liria dhe barazia për të cilën sakrifikuan gjenerata të tëra. Motra të dashura, Gratë në historinë e popullit tonë kanë pas vend të veçantë dhe jo rrallë herë edhe kanë udhëheq procese të rëndësishme historike.

Prej mbretëreshës Teutë, Nora e Klemendit deri te Shote Galica. Nga Shota e Radishevës te gratë e Nënat e paharrueshme, Nëna Zahide, Gjenerali i parë grua e kombit tonë, Xheve Lladrovci. Lista e grave që kontribuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit është e gjatë dhe thuajse të gjitha ato gra, nëna e motra që ishin pjesë e luftës sonë, kanë bërë sakrifica.

Shumë nga heroinat e gjalla, mbeten pa bijë, e bija, pa prind, pa vëllezër, pa motra e bashkëshort, pa bashkudhëtarët jetësor, ashtu siç mbeti edhe nëna ime. Sakrifica e nënave, motrave, bijave dhe grave është në themel të lirisë tonë.

Sot, gratë zënë vend të fuqishëm kudo në proceset e shtetndërtimit. Drenasi është model i barazisë dhe përfaqësimit dinjitoz të grave në vendimmarrje.

Nëna, motra, gra të dashura, të tjerë të pranishëm,

Sot, 8 marsin e pasqyrojmë me filmin “Zgjoi” që na bëri krenar me prezantimin e një pjese të së vërtetës tonë, në rrugën për liri, rrugën për çlirim nga okupatori. Filmi shpërfaq sakrificën dhe qëndresën e nënës tonë, motrës e gruas tonë, heroinës tonë, për jetën e re

Ju faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë