Lladrovci jep mirënjohje për dr. Ibadete Bytyqi: Drenasi është krenar me “Shkencëtaren e vitit”

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim dhe ka dhënë mirënjohje për dr. Ibadete Bytyqin, e cila kohë më parë u shpall “Shkencëtare e vitit” nga Ministria e Arsimit për vitin 2022.

Lladrovci ka rekomanduar se “çdo i ri duhet të ketë model Doktoreshën Ibadete e cila me punë dhe përkushtim ka arritur të ngritet në nivelet më të larta të shkencës së mjekësisë duke marrë vlerësime dhe çmime në konferencat ndërkombëtare”.

Postimi i Lladrovcit:

Me kënaqësi të veçantë, me rastin e 8 marsit, dhashë mirënjohje për dr. Ibadete Bytyqi, njëkohësisht shpreha falënderim për të dhe të gjitha gratë që shquhen për përkushtim dhe suksese jo vetëm në Drenas por edhe më gjerë.
Dr. Ibadete Bytyqi është shpallur “Shkencëtare e vitit” nga MASHTI për vitin 2022, për arritjet shkencore në lëmin e kardiologjisë.
Çdo i ri duhet të ketë model Doktoreshën Ibadete e cila me punë dhe përkushtim ka arritur të ngritet në nivelet më të larta të shkencës së mjekësisë duke marrë vlerësime dhe çmime në konferencat ndërkombëtare. Puna e saj shembullore, është vlerësuar me tetë mirënjohje kombëtare e ndërkombëtare. Ajo ka hartuar katër libra, tre udhërrëfyes për përdorim vendor dhe një ndërkombëtar.
Kardiologia Bytyqi ka të botuara 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferenca ndërkombëtare është paraqitur me 72 punime shkencore, prej tyre në 42 punime është autore e parë. Kjo punë e shkëlqyer flet se me meritë të plotë është shpallur shkencëtare e vitit.
Suksese Dr. Ibadete Bytyqi. Ju priftë e mbara. Jemi krenar me punën Tuaj. Ju dëshirojmë suksese të mëtejme!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë