Në Drenas mbahet takim me familjaret e të zhdukurve gjatë luftës, prezantohet digjitalizimi i dosjeve

Qendra Burimore për Personat e Zhdukur në bashkëpunim me komunën e Drenasit ka mbajtur takim me familjarët, ku në prani të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Policisë së Kosovës dhe të përfaqësuesve të Ambasadës Zvicerane si një prej donatorëve, kanë shpalosur projektin e dixhitalizimit të dosjeve të personave të zhdukur në Kosovë, si dhe punën e deritanishme bashkë me sfidat që po e përcjellin procesin e zbardhjes së fatit e më të dashurve të zhdukur gjatë luftës.

Në takim merrni pjesë, përfaqësuesi i QBPZH, z.Bajram Qerkini, kryetari i komisionit qeveritar z.Andin Hoti, nga njësia e komisionit për persona të zhdukur, z.Kushtrim Gara, përfaqësues nga ambasada zvicerane në Kosovë, njësiti i krimeve të luftës e Policisë së Kosovës, nënkryetari i komunës, z. Arben Shala, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Laureta Thaqi, dhe familjarë të personave të zhdukur.

Nënkryetari Shala ka thënë se çështja e zbardhjes së fatit të zhdukurve gjatë luftës është ende një plagë e cila pas 23 vitesh nuk është mbyllur, dhe fatkeqësisht ende kryesit e këtyre veprave makabre nuk janë dalë para drejtësisë.

Z.Qerkini nga QBPZH bashkë me përfaqësuesit e ambasadës zvicerane ka theksuar se çështja e të zhdukurve duhet të depolitizohet, duke theksuar se ai do të vazhdoj përpjekjet maksimale për zbardhjen e fatit të pagjeturve njëzëri bashkë me familjarët.

Ndërsa, z.Andin Hoti nga komisioni qeveritar ka theksuar se kërkesat e familjarëve janë prioritet dhe se me përgjegjësinë që ka si kryetar do t’i adresojë tek organet kompetente.

Në fund të takimit, familjarët patën rastin të adresojnë pyetje dhe kërkesa për komisionin qeveritar dhe akterët e tjerë për çështje të cilat i shqetësojnë ata që pas 23 vitesh ende nuk kanë gjetur familjarët e tyre.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë