Dënohet me 3 muaj burgim me kusht, Xh.Muqolli nga Drenasi, kjo është arsyeja

Xh.Muqolli është dënuar me tre muaj burgim me kusht, pasi ka pranuar se ka përpiluar një marrëveshje të rreme në qershor te 2014-tës, të cilën e kishte deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, duke e vënë në lajthim këtë të fundit.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjykatësi Selman Salihu, sipas të cilit dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse Muqolli nuk kryen vepër penale në afat verifikimi prej 1 viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Muqolli gjithashtu obligohet që të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe shumën prej 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, të gjitha në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, i njëjti është deklaruar fajtor në seancën fillestare të mbajtur më 10 shkurt 2022.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2016, thuhet se Xh.Muqolli më 17 qershor 2014, me dashje, te avokati Selman Bogiqi e ka përpiluar dhe nënshkruar shkresën-marrëveshjen e pajtimit, të cilën e ka deponuar në Gjykatën Themelore në Drenas dhe e ka vënë në lajthim organin kompetent- këtë gjykatë. Aty thuhet se e ka bërë përmes një marrëveshje pajtimi kinse të arritur në mes tij dhe të dëmtuarit S.Zariqi, me qëllim që gjykata të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë që të shërbej si provë në një çështje ligjore ndaj prindit të tij, Rr.Muqolli.

Me këtë, në aktin akuzues thuhet se ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 të KPRK-së, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë