Skenderaj/ Janë vendosur auto–taksitë dhe radio–taksitë në hapësirën e dedikuar për shërbimin e tyre

Janë vendosur sot auto – taksitë dhe radio – taksitë e qytetit tonë në hapësirën e dedikuar për shërbimin e tyre, në rrugën “17 Shkurti”.

Kompania e kontraktuar së bashku me inspektorët e Komunës së Skenderajt, janë kujdesur për rregullimin e hapësirës së parkingut, duke e shenjëzuar atë dhe vendosur tabelat përkatëse.

Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Komunës, Fadil Nura, kishte takim me përfaqësues të auto – taksive, me ç’rast ishte arritur pajtim i plotë mes tyre, për caktimin e këtij lokacioni, që do të shërbejë si pikë-nisjen e taksive. Vendi ku kanë qenë më parë nuk ka plotësuar kushte të mira të punës, pasi ishin të vendosur në kryqëzimin e rrugës afër stadiumit të qytetit.

Ky në fakt ishte edhe premtim i kryetarit të Skenderajt, për t’u gjetur një vend të përshtatshëm për nevojat e tyre.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, i pari i Komunës, mes tjerash ka shkruar se janë nxjerrë nga skutat e janë qitë në dritë auto-taksitë dhe radio-taksitë.

Ata meritojnë trajtim të dinjitetshëm dhe kushte më të mira në shërbimin që ofrojnë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë