Lladrovci: Drenica ka mundësi të jetë shembull i qeverisjes lokale, në të dy komunat

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është deklaruar për vizitën në Skenderaj, ku është pritur nga kryetari Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku.

Postimi i Lladrovcit:

Sot, me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun, kryetarin e Grupit parlamentar, Abelard Tahirin, Lulzim Nikën, Mehdi Gjokën dhe Hysni Thaçin, shkuam për ta uruar kryetarin e komunës së Skenderajt, Fadil Nurën, dhe nënkryetarin Samil Lushtakun, kryetar i Degës së PDK-së, për mandatin njëherësh për të shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit.

Drenica me dy komunat e veta, për më gjatë se një shekull ka paraqitur hapësirë historike të veçantë, në shumë fusha. Rezistenca ishte thelbi i veprimtarisë dhe pandërprerë prodhonte flakë baroti në të cilën përcëlloheshin okupatorët, nga otomani, mbretëria jugosllave, regjimi komunist dhe ushtria kriminale serbe.

Drenica si vatër e pashuar lirie, si udhëkryq që lidhte pjesët tjera të shtetit tonë, në fund të shekullit të kaluar, rikonfirmoi se ka shtat të papërkulur. Rezistencën e bëri fyt më fyt, shtëpi për shtëpi dhe do të kulmonte me Epopenë e Jasharajve dhe komandantin legjendar Adem Jasharin.

Sot, më shumë se kurrë, Drenicës, dy komunave tona i duhet zhvillim i gjithanshëm, parësor është zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe kushtet për jetë dinjitoze në Republikën e Kosovës. Ne jemi gati të vazhdojmë punën e palodhshme për të gjithë qytetarët, bashkëpunimin ndërkomunal dhe harmonizimin për projektet e interesit të përbashkët.

Do të vazhdojmë në rrugën e bashkëpunimit duke zbatuar barazinë para ligjit, transparencën dhe llogaridhënien. Drenica ka mundësi të jetë shembull i qeverisjes lokale, në të dy komunat. Sukseset do të jenë të pandalshme, sepse, ne punojmë shumë, sepse, kemi dëshmuar se e duam vendin tonë, e duam mirëqenien e qytetarit tonë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë