Rrëfimi i Fitimit, të riut nga Drenica që ia pa sherrin politikës

Në Kosovë ndonëse ka shumë të diplomuar në universitetet shtetërore e në kolegje private, gjetja e një vendi të punës, veçanërisht në fushën që studiohet, është e vështirë. Por, edhe kur gjendet një vend pune, ka shumë raste që punëtorët diskriminohen në forma të ndryshme, apo edhe largohen fare nga puna. Syri.net Kosova sjell më poshtë rrëfimin e një punëtori të cilin e dëbuan nga vendi ku punoi dhe paraqet gjendjen e tanishme, sa i përket respektimit të drejtave të personave që punojnë, sidomos në sektorin privat

Mbështetja që ia dha Bekim Jasharit gjatë kohës së fushatës zgjedhore, në zgjedhjet e fundit lokale, i kushtoi me vend të punës Fitim Ejupit, qytetarit nga Skenderaj, i cili punonte në një kompani sigurimi.

Ai tha se ka qenë presioni i kryetarit aktual, Fadil Nura, te pronari i kompanisë, që ai të largohet nga puna, duke i lënë pa ushqim tre fëmijët e tij, si shenjë hakmarrje ndaj Ejupit, që mbështeti kundërkandidatin e Nurajt në këto zgjedhje.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Ejupi theksoi se është shumë i zhgënjyer me këtë padrejtësi ndaj tij, pasi punën e ka kryer në mënyrë profesionale.

Ndër tjera, ai tha se pos që ka zhgënjim nga pushteti lokal, ai nuk ka fare shpresë që ata dikur do të ndryshojnë qasje.

“Po, i zhgënjyer po, por, nuk është diçka që nuk e kemi pritur nga ky pushtet, këta të njëjtit janë, ata të aferave të më hershme dhe të veprimeve të tilla arbitrare. Këta kanë larguar në të kaluarën nga puna edhe shumë shërbyes civil dhe të cilët e kanë fituar rastin dhe janë kompensuar me pas. Kjo të lënë me nënkuptu se këta lërë që nuk kanë ndryshuar në mendësi dhe veprime, por, edhe së kanë në plan të ndryshojnë ndonjëherë” tha ai.

Largimi nga puna, ku u pagua 240 euro për një muaj, ia ka vështirësuar Ejupit rritjen e tre fëmijëve që i ka dhe me këtë rast, ai nuk e përjashton fare mundësimin e largimit nga Kosova, për në shtetet perëndimore.

“Me një pagë 240 Euro është shumë shumë e vështirë të rritesh tre fëmijë, e aq më tepër tash si i pushuar nga puna, në mënyrë arbitrare. Po, mundësia e parë do të largohem edhe pse nuk është mirë të largohemi nëse kemi ndonjë rrugëzgjidhje në vendin tonë e mos më e leju llojin e tyre, që të largon e të bëjnë çfarë të duan me vendin tonë të shenjt, të ngritur mbi gjakun e mijëra e mijëra dëshmorëve dhe dhjetëra gjeneratave të sakrifikuara për këtë liri” theksoi Ejupi.

Po ashtu, Fitim Ejupi i tha Syrit se nuk shpreson fare se ankesat e tij për këtë padrejtësi do hasin në shqyrtim, apo, kthim në vendin e punës, pasi, sipas tij nuk pritet qëndrim pozitiv, nga logjika kriminale e pushtetit në këtë qytet.

“Jo, duke njohur logjiken e tyre nuk ka asnjë gjasë, sepse, këta janë të gatshëm për çdo gjë janë të vendosur të bëjnë padrejtësi dhe gjëra të tilla, logjik kriminale, mafioze nuk pritet nga ta ndonjë qëndrim pozitiv” janë fjalët e tij.

I pyetur se a ka kontaktuar me Bekim Jasharin pasi u pushua nga puna, Ejupi tha se nuk e ka kontaktuar, pasi nuk e ka parë të arsyeshme dhe i duket e tepërt të maltretohet më tepër familja Jashari, duke thënë se mjaft kanë bërë e kanë dhënë për vendin ata dhe mendon se nuk është e arsyeshme të shqetësohen ata me secilin problem që paraqitet.

Një rast i tillë si i Fitimit, që u largua nga puna, nuk është i vetëm në Kosovë.

Ka edhe shumë raste tjera ku punëtorët largohen nga puna për shkaqe tjera, të cilat për Syri.net Kosova i ka treguar Jusuf Azemi, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

Ai tha se për shkaqe politike pos rastit të Fitimit nuk ka pasur, por, janë tjera gjëra që nxisin pronarët e kompanive, t’i largojnë  punëtorët.

“Në aspektin politik nuk ka pasur raste, por, kryesisht neve na vijnë ankesa nga punëtorët të cilët kanë punuar pa kontrata në kompani të ndryshme, të cilët më pas janë zëvëndesuar me punëtorë të rinj, për shkak se pronarët i kanë larguar, në mënyrë që të mos ua paguajnë kontributet, e kjo gjë më së shpeshti ndodh në dikasterin e gastrononmisë, në këtë mënyrë, me humb gjurmë për mospagesa kontributesh, bëhet kjo gjë” tha Azemi.

I pyetur se si është gjendja me respektimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, Azemi tha se ka pasur shpresa në zgjedhjen e kryeinspektorit të punës, por, sipas tij, as ai nuk po ka aq shumë fuqi ligjore, të cilat po ia pamundësojnë kryerjen e detyrave.

Po ashtu, Azemi tha se një faj të madh që punëtorëve nuk u respektohen të drejtat, e ka edhe Qeveria Kurti.

“Derisa Qeveria Kurti dhe Ministria e Transferëve ua kanë lënë duart e lira pronarëve të kompanive dhe s’kanë fare angazhim në këtë drejtim, atëherë gjendja e punëtorëve as nuk po ndryshon, e me këtë qasje as nuk do të ndryshojë asnjëherë, edhe pse ne mundohemi të ndërmjetsojmë mes punëtorëve dhe pronarëve të kompanive dhe edhe pse shpeshherë kemi pasur sukses që punëtorët t’i kthejmë në vendet e tyre të punës, por, prapë se prapë po të njëjtit punëtorë kanë pasur probleme ose kanë qenë të detyruar ta lënë punën, si pasojë e presionit të ushtruar ndaj tyre” shtoi ai.

Po ashtu, përfaqësuesi i kësaj sindikate u pyet se me çfarë mekanizma mund t’i mbrojnë të drejtat e puëntorëve, si sindikatë, Azemi listoi veprimet që ata marrin pasi një punëtor dorëzon ankesën se u largua nga puna pa të drejtë.

“Ne fillimisht tentojmë që të ndërmjetsojmë mes komapnisë dhe punëtorit, të paktën ky i fundit të paguhet për orët shtesë apo pushimin veror që pronari s’ia ka dhënë. Në rast se nuk ka pajtueshmëri, atëherë vepron inspektorati. Inspektoriati vlerëson gjithë ecurinë e punës së punëtorit dhe obligimit të komapnisë dhe për mes dy shkallëve, shkalla I dhe II, bëhet raporti. Përmes raportit, nëse nuk ka po them prapë gjetje e ndonjë zgjidhjeje, lënda shkon në gjykatë. Mirëpo, dihet se në gjykatë lëndët shkojnë me vite, e punëtorët nuk kanë kohë të presin aq gjatë” përfundoi Azemi.

Kujtojmë që të drejtat e punëtorëve janë të garantuara me ligj në Republikën e Kosovës dhe punëtoret nuk guxojnë të kenë padrejtësi nga ana e shefave të tyre.

Sipas Ligjit të Punës, neni 5, pika 1, “Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin,promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi”  dhe neni 1, pika 1.17 ku thuhet se “Diskriminimi – çdo dallim që përfshin përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjuhës ose anëtarësisë sindikale, që e ka fuqinë e anulimit ose mosdhënies së mundësive të barabarta për punësim apo profesion apo ngritje profesionale”.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë