Alarm për bombë në stacion të autobusëve, flasin nga Policia

Policia ka evakuuar udhëtarët dhe punonjësit në stacionin e autobusëve në Prishtinë, pas një thirrjeje anonime për mjete shpërthyese.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës.“
Ahmeti tha se pas kontrolleve të kryera nga policia, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”