Lladrovci raporton për punën një vjeçare, falënderon qytetarët për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij viti

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të mërkurën ka mbajtur tubimin e dytë me publikun, ku ka raportuar para qytetarëve për punën njëvjeçare të këtij viti.

Në këtë tubim me publikun, të mbajtur në Sallën e Kuvendit, merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, Arben Shala, drejtor të drejtorive komunale, administrator të vendbanimeve dhe qytetarë.

Në këtë tubim me publikun, është diskutuar për aktivitetet e komunës të cilat janë kryer gjatë këtij viti.

Takimin e ka hapur Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili ka treguar rëndësinë e këtij takimi me publikun, ndërsa për punën një vjeçar ka prezantuar kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i cili ka falënderuar të pranishmit që kanë marr pjesë dhe ka falënderuar për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij viti për realizimin e projekteve.

“Ndonëse një vit me plot sfida e vonesa në realizim të planifikimeve, të shkaktuar nga pandemia globale e virusit covid-19, ne me të gjitha kapacitetet jemi munduar që të gjitha projektet të cilat kanë qenë të planifikuara të realizohen sipas planifikimit, madje në disa premtime edhe i kemi tejkaluar. Sipas të dhënave preliminare të shpenzimit të buxhetit, jemi afër 90 për qind në shpenzim e mbi 80 për qind vetëm në investime kapitale. Falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët na kanë mirëkuptuar e bashkëpunuar në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta. Falënderoj në veçanti administratorët e vendbanimeve që pa kursyer kohën e tyre, kanë bashkëpunuar me ekzekutivin për të ju dal në ndihmë qytetarëve që të tejkalojmë sa më lehtë këtë gjendje. Po e mbyllim një vit me shumë suksese, duke u shpallur pas rivlerësimit, komuna me performancën me të mirë në nivel vendi, me përfitim të grantit mbi 500 mijë euro, të vlerësuar nga tri Ambasadat me kredibile në vend, po ashtu kemi fituar edhe grantit për mjedis të pastër mbi 540 mijë euro. Të gjitha mjetet e granteve të fituara janë shfrytëzuar në realizim të projekteve për të mirën e komunitetit. Janë asfaltuar dhjetëra kilometra asfalt në lagje, rregullim të rrjetit të kanalizimit në shumicën e vendbanimeve, ndërtimin e kolektorëve për ujëra të zeza, ndriçim publik në shumë lagje të fshatrave, rregullim të trotuareve, ndërtimi i rrjetit elektrik në shumicën e fshatrave, renovimi i QMF-ve e AMF-ve, renovimin e të gjitha shkollave të cilat kanë pasur nevojë të riparohen. Janë krijuar kabinete të informatikës ne të gjitha shkollat, funksionalizimin thuaje i të gjitha shkollave me laboratë, vendosja e kamerave të sigurisë ne të gjitha objektet arsimore, pajisja e të gjitha shkollave me inventar, pajisja e të gjitha shkollave me llaptop, projektor, tv e tableta të mençur, përkrahja e fermerëve përmes subvencionimit me pajisje të nevojshme për të ju lehtësuar punën, ndarja e serave për fermer, mirëmbajtje të rrugëve gjatë sezonit veror e dimëror, mirëmbajtja e kanalizimeve, mirëmbajtja e rrugëve të rendit të katër me zhavor, mirëmbajtja e parqeve dhe gjelbërimi i hapësirave publike. Ndërtimi i Stadionit Rexhep Rexhepi faza e tretë, ndërtimi i fushave sportive në disa vendbanime, subvencinone në sport, renovimi i stadionit sintetik dhe realizmi i dhjetëra projekteve të tjera të cilat nuk po i përmendi për shkak të kohës”, ka thënë kryetari Lladrovci para të pranishmëve.

Të pranishmit kanë shtruar pyetje dhe sugjerime ekzekutivit për punën një vjeçare, ndërsa kryetari Lladrovci u ka dhënë përgjigje të gjithë atyre që kane drejtuar pyetje për projektet që kanë përfunduar gjatë këtij viti.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë