Informata ekskluzive për atentatet që priteshin të kryhen në Kosovë

Burime të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës tregojnë se atentati ndaj Azem Vllasit nuk është as i rastësishëm, e as i izoluar. Ekziston një plan dhe një listë për vrasje të profilit të lartë në Kosovë.
Plagosja e sotshme e Azem Vllasit, ish-funksionarit të lartë komunist, duket se nuk është një incident i izoluar.
Gazeta Express mëson se disa persona kanë hartuar një plan në Zvicër për të kryer vrasje të profilit të lartë në Kosovë; në emër të “mbrojtjes së interesave kombëtare dhe kundër tradhtarëve të kombit”.
Një zyrtar i lartë brenda Policisë së Kosovës, në kushte anonimiteti, i ka thënë Expressit se edhe Murat Jashari ka qenë pjesë e këtij grupi.
“Ky grup ka një listë për likuidime, e ku bëjnë pjesë zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe figura të njohura, të cilët ata i konsiderojnë tradhtarë”, ka thënë ky zyrtar policor për Express.
Në fakt, në një mënyrë, të njëjtën gjë e ka thënë edhe Murat Jashari në intervistën e parë para hetuesve policorë, disa orë pasi që u arrestua. Ai ka thënë se është në koordinim edhe më një grup të madh njerëzish nga vende dhe shtete të ndryshme.
Ndryshe, burime i Gazetës Express tha se, përveç “listës së tradhtarëve”, në Zvicër ishte hartuar edhe plani detaj i vrasjeve që parashihte të kryente ky grup.