Sulmi fizik ndaj Xhavit Drenorit, policia thotë se janë lënduar dy persona

Kandidati për kryetar i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas”, Xhavit Drenori, dyshohet se është sulmuar fizikisht të martën, ndërsa policia thotë se lëndime kanë pësuar dy persona të përfshirë në rast.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
‘‘Rreth orës 13:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në rrugën “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku lëndime trupore kanë pësuar dy persona të përfshirë në rast’’, ka thënë ajo.
Ahmeti bëri të ditur se pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, në QKMF- Drenas, policia i ka shoqëruar palët e përfshira në rast dhe është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Drenori ka thënë se është në stacion policor dhe për momentin nuk mund të flasë.